Spiropali: Protesta për UÇK-në, mesazh se beteja e ish-luftëtarëve është çështje e historisë së kombit shqiptar

by informim peje

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka vlerësuar si një akt të drejtë dhe domethënës protestën mbarëkombëtare të mbajtur në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.

Ajo e cilësoi tubimin si një mesazh se beteja e ish-luftëtarëve të UÇK-së është çështje e historisë së kombit shqiptar.

banner

“Ishte emocionuese, ishte protesta e duhur dhe ishte një protestë mbarëkomtare, jo e dirigjuar nga fije politike, po për shkak se të gjithë ata që ishin shesh dhe nuk ka rëndësi a janë nga Shqipëria, a janë nga Kosova, a janë nga Maqedonia e Veriut, apo nga Presheva, Mali i Zi, apo shqiptarë të diasporës, se kishte dhe të tillë, janë aty, jo për të ngritur vetëm flamurin e patriotizmit apo folklorizmit, siҫ u tha në disa raste krejt periferike, por sepse bëhet fjalë për një kauzë, e cila shkon në thelb të drejtësisë tonë historike. Dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës as mund të nëpërkëmbet dhe as mund të zhbëhet me një Gjykatë Speciale dhe Dhoma të Specializuara, të cilat sot kanë kaluar si mandatin e tyre, ashtu edhe kanë kaluar tagrin e tyre, por dhe kanë bërë parregullsi të tilla ligjore dhe procedurale, të cilat janë të pafalshme kur bëhet fjalë për luftën e një populli për liri”, tha Spiropali.

Dhe, shtoi ministrja, “janë krejt të pavend diskutimet kush e votoi Gjykatën Speciale, kush e shtyu, kush e propozoi, kush shkoi ta mbështeste, sepse në momentin që është votuar Gjykata Speciale, Dhomat e Specializuara janë bërë vetëm për t’i dhënë një përgjigje përfundimtare, akuzave gati thriller të përbindshme mbi luftën e Kosovës, por edhe mbi përfshirjen e Shqipërisë. Dhe flas këtu për raportin e 2011-ës të Këshillit e Europës dhe të senatorit Dik Marti që akuzonte si krerët e luftës çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe Shqipërinë si bashkëpunëtore”.

“Dhe ajo Gjykatë Speciale nuk u krijua nga presioni ndërkombëtar, edhe pse duhet të thënë që presioni nuk ishte i vogël, por u krijua me përgjegjësi shtetërore duke dëshmuar Kosova pjekuri shtetërore nga atë kohë, por dhe për t’iu përgjigjur partnerëve që e kërkonin ngritjen e kësaj i gjykate, në mënyrë që të zhbëheshin një herë e mirë akuza të tilla monstruoze”, nënvizoi Spiropali.

Dhe sot, shtoi ministrja, “jemi përpara faktit që 5 vite nga ngritja e akuzës nda ish-presidentit Hashim Thaҫi, ndaj ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, ndaj Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ne kemi një proces i cili ka kaluar mandatin, ka kaluar afatet, me dëshmi të zbehta, me pretendime të paqena dhe me një proces kryekëput të parregullt, i cili sot ka vënë hijen e dyshimit mbi vetë Gjykatën Ndërkombëtare”.

Dhe, shtoi Spiropali, “ne nuk mund të lejojmë, si komb e them, as fare, as si parti, as si udhëheqës, as të Shqipërisë, as të Kosovës, nuk mund të lejojmë që të përmbysen rolet, dhe në këtë teatër të madh në emër të drejtësisë, viktimat të kthehen në agresorë dhe në kriminelë dhe agresorët të kthehen papritur në viktima”.

E pyetur për marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të Kosovës, Albin Kurti, Spiropali u shpreh se, “të gjitha këto janë dekoracione, kur vjen fjala tek thelbi. Është bërë në Tiranë. Organizatorët e kanë parë të arsyeshme ta bëjnë në Tiranë, sepse Tirana është kryeqyteti i shqiptarisë dhe nuk mund të jepej një mesazh më i fortë sesa Kosova nuk është vetëm dhe nuk është vetëm beteja e ish-luftëtarëve të UҪK-së, por kjo është një çështje e historisë së kombit shqiptar”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy