Kosova “destinacion” i burgjeve të huaja dhe qendrave të azilit- Kurti ua bën vetë një ofertë britanikëve për t’iu “ndihmuar”

by Nexhat

Çështja e emigrantëve ilegalë është një tematikë e cila është shndërruar në problem për kontinentin e vjetër, Evropën. Vendet më të prekura janë shtetet më të zhvilluara në aspektin e ekonomisë, të arsimit e shëndetësisë, e fushat e tjera. Një ndër to, është edhe Mbretëria e Bashkuar. Për këtë të fundit, Reutersnë një artikull të para disa muajve, bëri të ditur për një rritje prej 46% të emigrantëve në pjesën e parë të këtij viti, krahasuar me atë të vitit të kaluar. Situata në fjalë, siç raportohet në artikull ka shtuar presionin mbi Kryeministrin Keir Starmer për mënyrën se si ai po e trajton çështjen në fjalë,.

Kësisoj, kryeministri Starmer, ka kthyer vëmendjen kah vendet e treta për ngritjen e “qendrave të kthimit”, ku supozohet që të strehohen azilkërkuesit. Vetë lideri i qeverisë britanike, siç njoftohej muaj më parë, kishte deklaruar se ka biseduar me “një numër vendesh” për ngritjen e “qendrave të kthimit”.

banner

Në mesin e vendeve që u përfol se ka qenë pjesë e diskutimeve, është edhe Kosova.

Për këtë të fundit, dje, e ‘konfirmoi’ kryeministri në detyrë Albin Kurti. Shefi i qeverisë e cila tash e sa muaj është pa mandat të plotë, i ofroi Britanisë që Kosova të ndërtojë një qendër të tillë për azilkërkuesit.

“Ne duam ta ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar. E konsiderojmë këtë si një detyrë miqësore dhe politike. Kemi kapacitete të kufizuara, por megjithatë duam të ndihmojmë, dhe aktualisht ka komunikim të rregullt mes ekipeve tona të zyrtarëve shtetërorë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe juristëve tanë, për të parë si mund të realizohet kjo në mënyrë të qetë dhe në të mirë të të dyja palëve”, ka deklaruar Kurti, raporton The Times.

Kurti vlerësoi se e ‘’kemi detyrë’’ t’i ndihmohet Britanisë, sepse kjo e fundit i ka ndihmuar Kosovës shumë.

“Ne dëshirojmë që mbështetja të jetë kryesisht në fushën e sigurisë — qoftë përmes marrëveshjeve strategjike apo përmes pajisjeve dhe projekteve që mund të realizojmë bashkë. Ekipet tona po punojnë për këtë, dhe mendoj se do të ketë një rezultat të suksesshëm. Sigurisht që duam të përfitojmë si shtet, por mbi të gjitha e konsiderojmë si detyrë tonën t’ju ndihmojmë, sepse ju na ndihmuat shumë dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, theksoi ai.

Mundësitë për një qendër të tillë janë parë edhe në Shqipëri. Megjithatë, ndryshe nga Kurti, kryeministri Edi Rama, e hodhi poshtë një gjë të tillë.

 Rama kishte thënë se “dhjetë vjet më parë thjesht nuk do të ishin të imagjinueshme… që Britania do të kërkonte vende për të hedhur emigrantët,”, tha Rama.

Rama po ashtu, në një raportim edhe të Politico’s, konfirmoi në atë kohë se Shqipëria nuk do të jetë pjesë e kësaj skeme, pasi “ne jemi besnikë ndaj martesës sonë me Italinë.

Lidhur me një mundësinë e ndërtimit të një burgu në Kosovë, nga një shtet tjetër, është përfolur edhe Belgjika.

Vetëm pak ditë më parë ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, dhe ministrja e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, qëndruan në Kosovë, ku u takuan me presidenten Vjosa Osmani.

Për këtë vizitë, u raportuar se Belgjika po shqyrton mundësinë që të ndërtojë ose të marrë me qira një burg jashtë territorit të saj, duke u përmendur Kosova.

Edhe pse në takimin e Osmanit, të paktën në njoftim s’u përmend, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, kjo çështje është përmendur shkurtimisht nga zyrtaret belge – “pa u hapur ndonjë diskutim i detajuar nga pala kosovare”.

Përveç këtyre, është edhe Danimarka, shteti i cili tashmë është në fazë të realizimit të një marrëveshjeje të tillë me Kosovën. Në fakt, në maj të vitit të kaluar, qeveria njoftoi se e ka miratuar Projektligjin e njëjtë për ratifikimin e një Traktati, që kishte arritur me Danimarkën për strehimin në burgjet kosovare të të burgosurve nga Danimarka, disa ditë pas dështimit të Kuvendit për ta ratifikuar atë.

“Çështja kryesore e trajtuar në këtë projektligj është ratifikimi i Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”, tha Qeveria në një komunikatë për media.

Madje, në qershor të këtij viti, u bë e ditur se të burgosurit e parë nga shteti danez pritet të transferohen në burgun në Gjilan në pjesën e parë të vitit 2027.

Kështu kanë konfirmuar nga Shërbimi danez i Burgjeve për Radion Evropa e Lirë, nga ku është theksuar edhe se institucioneve të Kosovës u janë dorëzuar kërkesa specifike për renovimin dhe përshtatjen e burgut të Gjilanit.

“…duke përfshirë një ndërtesë të re për punësim dhe ambiente të reja për vizitorë. Ne presim që puna të nisë këtë verë, kurse gjatë gjysmës se parë të vitit 2027, pritet që burgu të vihet në përdorim”, kishte thënë Shërbimi danez i Burgjeve. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy