Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka reaguar në lidhje me raportin e OSBE/ODIHIR-it për zgjedhjet e 11 majit.
Në një mesazh në ‘Facebook’, Gjekmarkaj theksoi se Shqipëria nuk mund të quhet demokraci për sa kohë vota nuk është e lirë. Sipas tij, konstatimet tronditëse të OSBE-së mbi zgjedhjet, rrëzojnë pretendimet për zgjedhje të lira dhe të ndershme
REAGIMI I GJEKMARKAJT
Mazhoranca aktuale është politikisht dhe moralisht ilegjitime. Shqipëria nuk mund të quhet demokraci për sa kohë vota nuk është e lirë dhe shteti përdoret kundër qytetarëve të vet.
Konstatimet tronditëse të raportit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit 2025, rrëzojnë përfundimisht çdo pretendim për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vendin tonë. Ky raport ndërkombëtar, i hartuar nga një organizatë e paanshme dhe me autoritet të lartë, përbën një akt akuzë të qartë ndaj regjimit të Edi Ramës dhe mënyrës se si ai ka shkatërruar standardet demokratike në Shqipëri.
OSBE/ODIHR konfirmon se zgjedhjet u dominuan plotësisht nga partia në pushtet, e cila përdori shtetin si mjet elektoral dhe jo si institucion publik. Administrata shtetërore u shfrytëzua për fushatë, burimet publike u keqpërdorën në mënyrë sistematike dhe punonjësit e shtetit u vendosën nën presion politik për të mbështetur mazhorancën. Vota e lirë u zëvendësua me votën e frikës dhe nënshtrimit.
Raporti i OSBE/ODIHR evidenton gjithashtu kapjen totale të mediave, mbytjen e pluralizmit dhe zëvendësimin e informacionit të vërtetë me propagandë qeveritare. Në vend të një fushe të barabartë garimi, qytetarët u përballën me një realitet të kontrolluar, ku çdo burim publik, çdo ekran dhe çdo institucion u përdor për interesat elektorale të partisë në pushtet.
Një tjetër shqetësim serioz që nënvizon raporti është ekzistenca e sistemit të patronazhistëve, që përbën një formë të organizuar të kontrollit politik mbi qytetarët dhe votuesit shqiptarë. Ky fenomen, i konsideruar i papranueshëm nga standardet ndërkombëtare, tregon se pushteti i Ramës ka ngritur një mekanizëm survejimi dhe frikësimi për të manipuluar procesin demokratik.
Edhe dita e votimit, që propaganda e qeverisë e quajti “të qetë”, rezulton në raport të ketë qenë e mbushur me parregullsi dhe shkelje të rënda të ligjit. Strukturat lokale të pushtetit u përdorën për të ushtruar ndikim dhe për të kontrolluar procesin në çdo hallkë të tij.
Ky raport i OSBE/ODIHR është dëshmia më e qartë se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Ai konfirmon se procesi u zhvillua nën dominimin e plotë të partisë-shtet dhe se vullneti i qytetarëve shqiptarë u deformua përmes presionit, frikës dhe manipulimit.
Mazhoranca aktuale është politikisht dhe moralisht ilegjitime. Shqipëria nuk mund të quhet demokraci për sa kohë vota nuk është e lirë dhe shteti përdoret kundër qytetarëve të vet. PD do të vazhdojë betejën për rikthimin e demokracisë reale, për zgjedhje të lira dhe për një shtet që i shërben popullit, jo partisë