Pas takimit gjatë ditës së sotme me presidentin Bajram Begaj, krerët e komuniteteve fetare të Shqipërisë kanë dalë më një deklaratë të përbashkët për situatën aktuale me protestat në kryeqytet.
Në deklaratën e tyre ata kanë bërë thirrje që palët të zgjedhin dialogun mbi konfliktin.
“Apeli ynë është për të gjithë: qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet. E ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore.
Me përulësi i drejtohemi të gjitha palëve të zgjedhin dialogun mbi konfliktin dhe përgjegjësinë mbi përshkallëzimin, duke vendosur mbi çdo interes të ngushtë të mirën e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore”, thuhet në deklaratën e tyre.
Ndërkohë Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Joan Pelushi nga Katedralja Ngjallja në Tiranë gjatë meshës së ditës së sotme shprehu se në këtë situatë është e domosdoshme që të merren vendimet e duhura.
“Lutemi që Perëndia t’i ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve, të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit. Sepse Shqipëria është e të gjithëve. Të gjithë ata që banojnë këtu, janë pjesë e saj dhe të gjithë kanë të drejtën për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Prandaj, i lutemi Zotit që të ndriçojë mendjet për të marrë vendimet e duhura dhe shpresojmë që lutjet e të drejtëve Perëndia do t’i dëgjojë. Shqipëria është e të gjithëve”, tha Kryepiskopi. /Top Channel

