Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka vlerësuar se seanca e Kuvendit të Kosovës që po mbahet sot për formimin e Qeverisë është jokushtetuese. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani theksoi se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është “ngutur” në vendimin për të dekretuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si mandatar për formimin e ekzekutivit.
Sipas profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, procesi duhej të priste zgjidhjen e kontestit kushtetues që është ngritur pas konstituimit të Kuvendit. “Presidentja ka vepruar pa u qartësuar plotësisht situata ligjore në Kuvend, gjë që bie ndesh me parimet e kushtetutshmërisë,” ka deklaruar Hasani.
Kontestimi vjen pas ankesës së Listës Serbe, e cila i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Nenad Rashiqit – përfaqësues nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë – si nënkryetar i Kuvendit në vend të kandidatit të propozuar prej saj. Sipas kësaj partie, me këtë zgjedhje janë kryer shkelje të Kushtetutës që cenojnë përfaqësimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë kërkesën e Listës Serbe në ditët në vijim, ndërsa vendimi i saj mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në legjitimitetin e qeverisë që pritet të formohet.

