Bugaqku: Mosformimi i qeverisë rrezikon bllokadë financiare dhe stagnim institucional në Kosovë

by Nexhat

Mosformimi i Qeverisë do të shkaktojë dëme serioze shtetit por edhe shoqërisë në shumë nivele. Kështu ka vlerësuar hulumtuesi në KDI, Vullnet Bugaqku në një intervistë për Ekonomia Online, teksa shton se mungesa e një qeverie do të çojë drejtë një bllokade financiare.

“Kjo është dukuri më e dëmshme që po i ndodh shtetit edhe shoqërisë. Ne kemi buxhet të planifikuar deri më 31 dhjetor 2025 të këtij viti dhe me datë 31 të këtij muaji do të duhet që qeveria të paktën ta propozonte projektligjin e ri për buxhetin në Kuvend. Ne ende nuk kemi informacion dhe nuk e dimë që a ka projektligj të përgatitur nga ana e qeverisë, qoftë edhe nga kjo qeveri në detyrë, që do të ofrojë deputetëve të Kuvendit për ta miratuar, në kuptimin e asaj që të mos bllokohet shteti në kuptimin financiar. Dëmet dhe pasojat që po shkaktohen nga kjo krizë shtetërore mendoj që janë në shumë segmente të tjera, së pari në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në pamundësi të një konsensusi politik nuk po arrijmë që ato marrëveshje t’i sjellim në Kuvend dhe t’i votojmë me 80 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Mos të harrojmë planin e rritjes dhe zgjedhmirë të BE-së, i cili përcakton që Kosova mund të përfitojë deri në 800 milionë euro fonde për zhvillim ekonomik edhe shoqëror. Mirëpo, si pasojë që kemi ngërç institucional, ne nuk po arrijmë të formojmë as qeverinë. E kemi situatën e Kuvendit, se nuk e dimë ende sigurt a është i konstituuar apo jo. Kemi një rast në Gjykatën Kushtetuese që pret një epilog. Të gjitha këto janë mundësi që vendi të vazhdojë përsëri me bllokada dhe kriza kushtetuese e institucionale. Mirëpo kjo varet krejt nga vlerësimi që bën Gjykata Kushtetuese për kërkesën e parashtruar nga Lista Serbe”, ka deklaruar Bugaqku.

banner

Veç kësaj, ngërçi institucional sipas Bugaqkut ka ndikuar edhe në marrëveshjet ndërkombëtare dhe në mundësinë e përfitimit të fondeve nga Plani i Rritjes i BE-së.

 “Në kuptimin e brendshëm pasojat janë edhe më të mëdha për faktin që mungon mbikëqyrja parlamentare. Ne kemi ende një qeveri në detyrë që i ka skaduar mandati dhe kjo qeveri nuk i përgjigjet më këtij Kuvendi. Ky Kuvend nuk mund ta thërrasë për përgjegjësi parlamentare qeverinë e cila është zgjedhur dhe është emëruar në mandatin e kaluar. Po ashtu kemi edhe sa i përket çështjes së drejtësisë, sundimit të ligjit, shumë ligje të cilat janë shumë vitale dhe që presin miratimin në Kuvend, që e çojnë rrugën drejt reformës në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, si pasojë e Kuvendit dhe qeverisë kanë mbetur peng. Konsideroj që në shumë segmente vendi është duke kaluar dhe duke përjetuar dëme të pariparueshme, në kuptimin e asaj që do të jetë e vështirë që edhe nëse formohet qeveria brenda këtij viti, ne mund ta cilësojmë si një vit të dështuar në kuptimin edhe parlamentar edhe qeverisës, sepse kjo krizë politike e ka sjellë gjendjen në atë mënyrë që pasojat që i ka shkaktuar do të marrin shumë kohë të rikuperohen”, theksoi ai.

Ai theksoi se mungesa e mbikëqyrjes parlamentare dhe bllokimi i reformave në drejtësi po e dëmtojnë më tej funksionimin e shtetit.

“Ne jemi shumë vite mbrapa, pastaj çka kërkohet nga BE-ja në plotësimin e standardeve dhe kritereve. Ne kemi vitale çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në NATO, ne ende nuk jemi aspak afër rrugës drejt anëtarësimit”, përfundon Bugaqku

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy