Tim Andrews, 67 vjeç nga New Hampshire, është bërë pacienti i parë në botë që ka jetuar për 271 ditë me një veshkë derri të modifikuar gjenetikisht. Transplanti u krye në janar, por të enjten, mjekët në spitalin Mass General Brigham vendosën ta heqin organin për shkak të rënies së funksionit të tij.
Andrews ishte pacienti i katërt i gjallë në SHBA që mori një transplant të tillë, pjesë e një eksperimentimi të avancuar për ksenotransplantimin – përdorimin e organeve shtazore te njerëzit – me qëllim shmangien e refuzimit dhe komplikacioneve imunitare.
Prej dekadash, Andrews vuante nga diabeti dhe tre vite më parë u diagnostikua me sëmundje të veshkave në fazën terminale. Dializa ishte zgjidhja e vetme, por e lodhshme: gjashtë orë, tri herë në javë, e shoqëruar me lodhje të vazhdueshme.
Pavarësisht rrezikut, ai pranoi të bëhej pjesë e eksperimentit, duke shpresuar se do të shmangte dializën dhe do të ndihmonte të tjerët. Në dokumentarin e CNN-së “Dr. Sanjay Gupta Reports: Animal Pharm”, Andrews tha se veshka e derrit e bëri të ndihej “i rigjallëruar” dhe e quajti përvojën “një mrekulli”.
Gjatë muajve me organin e ri, ai rifitoi energjinë për të gatuar, pastruar dhe shëtitur me qenin e tij. Në një deklaratë zyrtare, spitali e cilësoi Andrews si “pionier mjekësor vetëmohues dhe frymëzim për pacientët me dështim të veshkave në mbarë botën”.
Në një postim në Facebook, ai e përshkroi përvojën si “një udhëtim ndëshkues, i mbushur me të panjohura dhe surpriza”, duke pranuar se ilaçet eksperimentale kishin efekte anësore të papritura. Megjithatë, ai u shpreh krenar për gjithçka që u arrit gjatë nëntë muajve të jetës me veshkën e derrit.

