Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci i ka reaguar deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami për deklaratën e saj se presidentja Vjosa Osmani ishte fajtore që LDK në zgjedhjet e vitit 2021 kishte rënë në 12 për qind.
Statovci ka thënë se LDK e ka përjashtuar Osmanin nga partia.
“Zonja Hykmete Bajrami paska deklaruar se Presidentja Vjosa Osmani paska qenë fajtore përse në zgjedhjet e vitit 2021, LDK ka dalë 12%. Por Zonja Bajrami paska harruar se Presidenten Osmani, partia e saj e ka përjashtuar nga LDK, se kostoja elektorale e 12% ka qenë pasojë e shkeljes së demokracisë të brendshme në LDK, por edhe jashtë saj. Përjashtuan personin me besimin më të lartë elektoral që nga Presidenti Rugova. Kostoja e paguar ka qenë dërgimi i vendit në zgjedhje në kohë pandemie, prishja e besimit me qytetarin dhe arroganca e gatishmëria për të nënshkruar marrëveshje të dëmshme për vendin dhe bashkëpunimi me një PDK komplet të pa reformuar”, ka shkruar Statovci në Facebook.
Statovci ka shtuar se Osmanit i kalon mandati edhe pak muaj andaj i ka “këshilluar” për kujdes se mund t’i kthej sërish në 12 për qind.
“E presidentes Osmani i kalon mandati edhe pak muaj, andaj bëni kujdes, se mund fare lehtë të ju kthej në 12%, me argumentet e saj politike, konsistencën ideologjike që ka me bazë trashëgiminë e Presidentit Rugova, jo të këtij diskursi destruktiv të LDK-së, që amniston Listën Serbe, e fajëson të tjerët për rezultatin e tyre”, shtoi ajo.
 
 
 
 
