Në “Pressing” të T7, është zhvilluar debati për Prishtinën mes Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekut (LVV) që përballen në balotazh.
Gjatë debatit ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka bërë tre postime në Facebook.
Ai ka thënë se “Përparim Rama po gënjen për buxhetin e komunës”.
Përparim Rama po gënjen publikisht për buxhetin e komunës. Këtë çështje e kam sqaruar tash e disa herë. Qe shkresa me të cilën qeveria i ka përcjellë Kuvendit materialin e buxhetit të komunës qysh në janar të këtij viti. Pse LDK nuk po dëshiron me e votu buxhetin e Prishtinës tash që Kuvendi është konstituuar?”, ishte postimi parë i Muratit.
Më pas Murati e quajti Përparim Ramën dështak.
“Po kallxon qysh e ka transformu transportin publik, ama s’ka qenë në gjendje asnjë autobus të ri me sjellë për 4 vjet. Tu i pasë 10 milionë euro financim të siguruara qe 3 vjet. Kush e bllokoi dështakun për me i sjellë autobusët”, ka thënë Murati në postimin e dytë.
Murati e bëri edhe postimin e tretë në lidhje me këtë debat.
“Qe raporti 9-mujor i shpenzimeve në vitin 2025, i cili është publik në faqe të MFPT-së. Prishtina deri në fund të muajit shtator ka të shpenzuara 77.6 milionë euro, nga gjithsej 125.4 milionë euro sa i ka buxhet (sipas buxhetit të vitit 2024, sepse buxhetin e vitit 2025 nuk e ka të miratuar). Si u bë që Komuna e Prishtinës i paska shpenzu 77.6 milionë euro nëse paska qenë e bllokuar? Dështimi me i respektu afatet ligjore për miratim të buxhetit, dhe dembelia në punë, nuk mund të mbulohen me gënjeshtrën e bllokadës”, ka shkruar ai.
 
 
 
 
