Në Raportin e Progresit për vitin 2025 për Kosovën, Bashkimi Evropian ka ndërlidhur heqjen e mëtejmë të tyre me depërshkallëzimin e situatës në veri.
Fillimisht aty është thënë se masat kanë nisur të hiqen gradualisht, duke e ndërlidhur me rikthimin e takimeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por heqja e mëtejme varet nga depërshkallëzimi në veri.
“Hapat e mëtejmë mbeten të kushtëzuar nga një ulje e qëndrueshme e tensioneve në veri. Komisioni synon t’i heqë më tej këto masa me kushtin që të arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe nëse ulja e tensioneve është e qëndrueshme”, thuhet në raport.
Në raport është theksuar se masat kanë pasur edhe ndikim financiar. E pas fillimit të heqjes graduale të masave, sipas raportit, katër projekte të asistencës teknike në mbështetje të investimeve të mundshme në kuadër të Programit të Reformës dhe Rritjes janë riparaqitur dhe janë miratuar.

