Kompania Trainkos Sh.A. ka bërë të ditur se studentët në Kosovë mund të përfitojnë zbritje prej 50% në biletat e trenit, përmes një skeme lehtësuese që është aktualisht në fuqi.
Sipas njoftimit, e drejta për këtë zbritje vlen vetëm për studentët që dëshmojnë statusin e tyre aktiv. Për të përfituar nga kjo lehtësi, studentët duhet të paraqesin kartelën studentore për vitin akademik aktual, ose – në rast se ende nuk e kanë të lëshuar – fletëpagesën e semestrit.
Ndërkaq, studentët në fazën e diplomimit (absolventët), të cilët janë të liruar nga pagesat, duhet të sjellin një vërtetim zyrtar nga fakulteti që konfirmon statusin e tyre për vitin në vijim.
Trainkos bën të ditur se zbritja prej 50% aplikohet në të gjitha relacionet brenda vendit.


