Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi, mbrojtja kërkon anulimin e vendimit me të cilin dy të akuzuarit u dënuan me burgim të përjetshëm

by Nexhat

Në Gjykatën e Apelit të enjten u mbajt seanca për shqyrtimin e ankesave të mbrojtjes së të akuzuarve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të cilët janë të dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhpi. Mbrojtja propozoi që të ndryshohet aktgjykimi i Themelores, të anulohet apo që çështja të ktehet në rigjykim. Ndërkaq, pala e dëmtuar kërkoi që të vërtetohet dënimi me burgim të përjetshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 maj 2025 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, duke i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Ndaj vendimit të Themelores, mbrojtësit e të akuzuarit Jeton Vllasaliu, avokatët Florent Latifaj dhe Driton Musliu, kanë parashtruar ankesë për të gjitha bazat ankimore, duke propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet ose të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Avokati Latifaj ndër tjerash tha se aktgjykimi i shkallë së parë ka shkelje të dispozitave ligjore dhe i mungon në tërësi arsyetimi i fakteve, provave e dëshmive të elaboruara në shqyrtim.

Ankesë kanë parashtruar edhe mbrojtja e të akuzuarit Nexhat Vllasaliu, avokatët Kosovare Kelmendi dhe Shemsedin Piraj.

Avokatja Kelmendi tha se aktgjykimit i atakuar vetëm në dy faqe përmban analizë të provave dhe nuk ka elaborim të çështjes. Tha se asnjë nga dëshmitarët nuk e kanë përmendur të akuzuarin Nexhat Vllasaliu.

Kelmendi i propozoi Gjykatës së Apelit që ta lirojë të akuzuarin Nexhat Vllasaliu dhe që lëndën ta kthejë në rigjykim.

Ndërsa, avokati Piraj propozoi që nëse aprovohet ankesa e mbrojtjes dhe çështja kthehet në rigjykim, të mos gjykohet nga trupi i njëjtë gjykues i shkallës së parë, duke shtuar se “Drejtësia duhet të vijë në vend”.

Ndërkaq, përgjigje në ankesën e mbrojtjes së të akuzuarve, ka parashtruar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha, i cili pyeti se si është e mundur që të akuzuarit të mos jenë fajtorë, kur i akuzuari Jeton e ka pranuar vetë edhe datën kur ka ndodh, veturën, e detaje tjera.

“… ky vetë e pranon, data 8, e pranon kuzhinën, e pranon katin e tretë, e pranon perden, veturën dhe e thotë një sentencë të rëndësishme “i qofsh falë kësaj xhenaze, i thotë Nexhati, se krejt shtëpinë e kisha kall”, gjatë kohës kur këta nga kati i tretë përpiqeshin ta nxjerrin jashtë kufomën e Bedri Rexhepit”, deklaroi Berisha.

Ndër tjerash, ai tha se aktgjykimi i përpiluar i Themelores jo vetëm se i plotëson kushtet, por do të ishte e padrejtë dhe e paligjshme që të anulohet.

Gjithashtu, Berisha shtoi se dënimi me burgim të përjetshëm është dënimi më i paktë për rastin e viktimës që ai thotë se u ftua si mik e doli si kufomë.

“…përballë një krimi në pabesi, përballë një krimi kur u ftua si mik e doli si një kufomë që u shëtit malit të Vllasalisë”, tha ai.

Po ashtu, Berisha shtoi se burgimi i përjetshëm është i vetmi dënim që do të duhej të mbetej në fuqi për dy të akuzuarit dhe është i vetmi satisfaksion për këdo që kërkon drejtësi.

Ndryshe, seanca në Apel ishte paraparë që të mbahej më 20 tetor 2025, mirëpo për shkak se pala e dëmtuar nuk kishte pranuar ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve, kishte dështuar të mbahet.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy