Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ka thënë se propozimi i kryeministrit Edi Rama për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i dërguar te Gjermania dhe Franca, nuk i ka ndihmuar Kosovës në pozicionin e saj negociues.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Bytyçi ka thënë se draft-statuti i propozuar nga Rama nuk do të diskutohet gjatë negociatave midis palëve në Bruksel.
“Mendoj se propozimi i dërguar nga kryeministri Rama te Gjermania dhe Franca nuk i ka ndihmuar Kosovës në pozicionin e saj negociues dhe nuk mendoj se është një propozim që do të diskutohet gjatë negociatave”, ka thënë ai.
Sipas tij, Tirana zyrtare do të duhej ta mbështeste Kosovën në kohën kur po synon të faktorizohet dhe të shihet si partner nga shtetet tjera dhe jo të ndodhë e kundërta sikurse me anulimin e mbledhjes së Qeverive.
“Nga Tirana zyrtare pritet mbështetje dhe jemi në kontekstin ku Kosova po synon të faktorizohet e të shihet si partner nga shtetet tjera dhe pikërisht në këtë moment me anulimin e mbledhjes së Qeverive, mesazhi ishte që as Shqipëria, një shtet simotër, nuk e sheh si partner Kosovën”, është shprehur ai.

