Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar sot se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa ka konfirmuar se mandati për formimin e qeverisë i është dhënë kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.
Pas vizitës në Institutin për Krime Lufte, Kurti u pyet nga gazetarët nëse po zhvillohen negociata me parti apo deputetë për krijimin e ekzekutivit të ri. Ai tha se procesi është në duart e Konjufcës dhe se mbeten edhe 10 ditë afat për ta finalizuar këtë çështje.
“Mandati për formimin e qeverisë i është dhënë nga presidentja Vjosa Osmani Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje. Urojmë për më të mirën. E ritheksojmë se nuk është e mençur të shkojmë në zgjedhje – as në dhjetor, as në prill,” deklaroi Kurti.
Ai shtoi se deputetët duhet të përcaktohen nëse do të mbështesin një “Qeveri Kurti 2.5” deri në dhjetor apo një “Qeveri Konjufca 1” deri në prill, duke theksuar se vendi ka nevojë për stabilitet institucional dhe jo për cikle të shpeshta zgjedhore.
Kurti njoftoi se gjatë kësaj jave dhe në fillim të javës së ardhshme pritet të ketë më shumë qartësi rreth formimit të qeverisë së re.

