Dy hetues kanë zbarkuar gjatë mesditës së sotme në ambientet e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Burime të Klankosova.tv bëjnë të ditur se hetuesit kanë qenë në kërkim të disa dokumenteve brenda televizionit publik.
Sipas të njëjtave burime, hetimet mund të lidhen me ndonjë pagesë të bërë pas skadimit të mandatit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së, Hysen Hundozi.
Atij i ka përfunduar mandati më 31 tetor, ndërsa aktualisht nuk ka bord funksional që mund t’ia vazhdojë apo t’ia ndërpresë kontratën, pasi janë vetëm tre anëtarë aktivë.
Ndërkohë, u.d. drejtori Hundozi në një prononcim për Lajmi.net tha se në RTK nuk ka pasur bastisje dhe se i njëjti nuk është kontaktuar nga Policia e Kosovës.
“Nuk ka pas bastisje, unë në asnjë formë nuk jam kontaktuar nga Policia e Kosovës, as në formë të shkruar përmes emailit, as telefonike, por as takim nuk kam pasë me ta e aq më pak me u shoqëru. Do të thotë, lajmi është 100 për qind i pavërtetë sa i përket meje si u.d. i drejtorit të RTK-së. Kanë mujt me shku në administratë me u interesu për statusin tem, kurgjo ma shumë — jo bastisje, nuk më kanë kontaktuar mua”, tha Hundozi.

