Fushata e fundit e spastrimeve që presidenti kinez Xi Jinping po ndërmerr brenda radhëve të ushtrisë ka ndezur shqetësime të reja mbi stabilitetin e komandës dhe gatishmërinë luftarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Mungesa e disa prej figurave kryesore në ceremonitë zyrtare dhe zhdukja e tyre nga skena publike kanë nxitur dyshime se Pekini po përballet me një krizë të heshtur besnikërie dhe disipline në forcat e armatosura.
Alarmi u ringrit këtë muaj, kur gjatë ceremonisë së prezantimit të aeroplanmbajtëses më të re të Kinës, munguan komandanti i marinës Hu Zhongming, drejtuesi i komandës jugore Wu Yanan dhe komisari politik Wang Wenquan. Treshja, e pranishme zakonisht në ngjarje të tilla, nuk u shfaq në asnjë prej pamjeve të transmetuara nga televizioni shtetëror.
Këto mungesa përkojnë me një valë të re hetimesh dhe shkarkimesh që ka përfshirë dhjetëra funksionarë të lartë të ushtrisë, përfshirë edhe He Weidong, ish-numrin tre të forcave të armatosura. Në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste muajin e kaluar, 27 prej drejtuesve ushtarakë figuronin të munguar – një tregues i fuqishëm se spastrimet kanë hyrë në fazën më të thellë të tyre.
Burime të sigurisë amerikane thonë se lëvizjet po ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e strukturave komanduese. “Kjo nuk mund të mos ketë efekt në operacionet e vijës së parë,” theksoi një zyrtar amerikan, duke shtuar se mungesa e transparencës mund të çojë në vlerësime të gabuara për gjendjen reale të ushtrisë kineze.
Ndryshimet janë vënë re edhe në sjelljen ushtarake të Kinës rreth Tajvanit. Krahasuar me vitin e kaluar, Pekini ka ulur ndjeshëm numrin e avionëve luftarakë që dërgon pranë hapësirës ajrore të ishullit. Analistët besojnë se pas largimit të He Weidong mund të ketë nisur një rikthim drejt një modeli më tradicional stërvitor, më pak provokues dhe më të fokusuar te përgatitja afatgjatë përballë forcave amerikane në Paqësor.
Megjithatë, të tjerë e shohin sjelljen e moderuar si kalkulim politik. Me zgjedhjen e një drejtuesi më të favorshëm ndaj Kinës në opozitën tajvaneze dhe me Pekinin që kërkon të mos tensionojë negociatat me Uashingtonin, reduktimi i aktiviteteve agresive mund të shërbejë edhe si gjest diplomatik.
Në planin e brendshëm, Xi Jinping ka zgjeruar objektivin e tij përtej korrupsionit në prokurimet ushtarake. Tani ai synon kontrollin e plotë të mekanizmave politikë brenda ushtrisë, përfshirë komisarët që garantojnë besnikërinë ndaj partisë. Rregullat e reja të publikuara nga PLA Daily kërkojnë më shumë llogaridhënie nga këta kuadro, hap që mund të çojë në një valë të re denoncimesh dhe ndërprerjesh karriere.
Ekspertët paralajmërojnë se ndërsa spastrimet mund të forcojnë kontrollin e Xi-së, ato rrezikojnë të krijojnë boshllëqe në përvojë dhe të sjellin një brez të ri komandantësh më pak të provuar dhe potencialisht më agresivë. Për një ushtri që po synon të rrisë aftësinë për t’u përballur me SHBA-në dhe aleatët e saj, këto tronditje të brendshme përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm.
“Rezultati final i këtij pastrimi të gjerë mbetet i paqartë,” thotë një zyrtar i lartë tajvanez. “Por një gjë është e sigurt: ushtria kineze po kalon përmbysjen më të thellë të viteve të fundit.”

