Ndonëse kanë mbetur edhe pak orë prej se do të përfundojë afati për seancën ku do të hidhej në votim mandatari i dytë për Kryeministër Glauk Konjufca, megjithatë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka ndryshuar qëndrim, e për cka deputeti i këtij subjekti politik, Ferat Shala në një intervistë për Ekonomia Online kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje që nuk pati vullnet për krijimin e institucioneve
Shala tha se seanca e paralajmëruar për nesër, e mërkure, e që është dita e fundit ligjore, është vetëm vazhdimësi e “lojës politike” të pushtetit.
“Qëndrimi i PDK-së është i njëjtë që kemi pasur tashmë e më shumë se tetë muaj në raport me krijimin e institucioneve, edhe seanca e nesërme e cila është dita e fundit juridikisht që duhet me thirr është vazhdimësi e arvatjes dhe lojës politike që mazhoranca e ka bërë pa vullnetin për të ndërtuar institucionet e shtetit, pra do të jetë një përsëritje e një skenari që tashmë është i njohur”, deklaroi Shala.
Sipas Shalës, Vetëvendosje ka zvarritur procesin me qëllim të kalkulimeve të brendshme politike, duke e shtyrë vendin drejt zgjedhjeve në fund të dhjetorit.
“Definitivisht nuk mund ta kuptosh ndryshe sepse nuk ka pasur vullnet për të krijuar institucione, të tjerat janë të gjitha lojë dhe kalkulime të brendshme politike brenda VV-së, për të zvarritur dhe vjedhur kohë në mënyrë që në kohën më të përshtatshme të mundshme”, ka theksuar Shala.
Ai paralajmëroi se një proces i tillë do të sjellë pasoja të mëdha politike, ekonomike dhe sociale, duke i atribuuar përgjegjësinë tërësisht mazhorancës.
“Tani në sezonin dimëror praktikisht diku në pjesën e fundit të dhjetorit të shkojmë në zgjedhje, pse është dashur të vijë deri në këtë pikë, a i konvenon kujt që tani të kemi zgjedhje në muajin dhjetor dhe dëmet dhe pasojat edhe politike, ekonomike dhe sociale janë shumë të mëdha? Do të thotë është krejtësisht përgjegjësi e mazhorancës dhe atyre që tani e tetë muaj kanë thirrur dhe dështuar në seanca. Realisht është situatë e tillë po që mazhoranca nuk e ka pasur dhe nuk e ka vullnetin për të krijuar institucionet kredibile dhe stabile”, ka përfunduar ai.
Më 4 nëntor Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e mandatoi Glauk Konjufcën për Kryeminisëtr.
Konjufca u poropozua nga Lëvizja Vetëvendosje, meqenëse Albin Kurti, si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, më 26 tetor dështoi të merrte mbështetjen e Kuvendit për formimin e ekzekutivit.
Partia e tij i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.

