Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka paralajmëruar se Kosova po i afrohet një kolapsi të plotë institucional, i cili, sipas tij, mund të kërcënojë sigurinë dhe rendin publik nëse vendi nuk arrin të formojë një qeveri të re deri në fund të marsit të vitit 2026.
Në një analizë të publikuar pas një viti të tërë pa qeveri plotësisht funksionale, Ramadani ka vlerësuar se paraliza institucionale po e godet seriozisht sistemin qeverisës dhe shërbimet publike.
“Kolapsi buxhetor i Prishtinës do të përcillet me kolaps buxhetor të Kosovës,” shkruan ai, duke përmendur si shembull gjendjen e rënduar të transportit urban dhe shërbimeve komunale në kryeqytet. Sipas Ramadanit, këto probleme janë sinjale të qarta se situata mund të përshkallëzohet në të gjitha nivelet e administratës publike.
Ai thekson se aktualisht Kosova ka vetëm katër muaj kohë për të shmangur rënien e plotë institucionale. Me qindra pozita të zbrazëta në institucione, agjenci dhe organe të pavarura, vendimet po merren nga ushtrues detyre që, siç thotë ai, “nuk kanë legalitet për asnjë vendim”, duke shkaktuar qindra padi për akte të konsideruara të jashtëligjshme.
“Nëse deri në javën e fundit të marsit 2026 nuk ka qeveri të re dhe nuk miratohet Ligji i ri i Buxhetit, kolapsi mund të rrënojë sigurinë dhe rendin publik,” paralajmëron Ramadani.

