Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos ndarë buxhet për Radio Televizionin e Kosovës, ndonëse – sipas saj – ekzistonte mundësia ligjore dhe financiare që kjo të bëhej.
Në një postim publik, Kusari ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, se kanë një qëllim të qëllimshëm për ta goditur transmetuesin publik.
“Qeveria ka marrë vendim me i dhënë buxhet disa institucioneve por ka refuzuar që të ndajë buxhet për RTK-në. Pra, e ka pasur mundësinë ligjore dhe buxhetore por e ka përjashtu RTK-në.”
Ajo tutje shtron pyetjen se pse një vendim i tillë u mor dhe vjen me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj drejtuesve institucionalë.
“Sepse Kurti, Murati dhe njerëzit e VV kanë mision special me e shkatërru RTK-në masi s’po munden ta vendosin nën kontroll të plotë. Kontrolla e kufizuar aktuale – vec kqyrni lajmet në 19:00 – nuk po iu mjafton.”
Kusari e quan këtë situatë një “luftë speciale kundër lirisë së medias” dhe “nëpërkëmbje të 700 punëtorëve dhe familjeve të tyre”, duke shtuar se shumë punonjës të RTK-së po përballen me kushte të rënda sociale dhe shëndetësore.
“Unë njoh njerëz që punojnë në RTK që vuajnë nga sëmundjet dhe për ilaçe po kërkojnë ndihmë nga familjarët. Kjo qasje është denigrim dhe cenim i integritetit dhe mirëqenies personale të njerëzve.”
Në fund, juristja fajëson drejtpërdrejt Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Kurti për gjendjen e krijuar.
“Përgjegjëse është Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti.”
Reagimi i Kusarit vjen në kohën kur punëtorët e RTK-së kanë hyrë në grevë për shkak të mosmarrjes së pagave për tre muaj me radhë, ndërsa kërkojnë zgjidhje urgjente nga institucionet.

