Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, është shfaqur optimist para ndeshjes së katërt të fazës kryesore të Conference League kundër Dritës, e cila luhet të enjten në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Beqiri e ka përshkruar takimin si një ndeshje festive, duke theksuar se dhe pret spektakël si në tribuna ashtu edhe në fushë.
Ai ka thënë se ekipi i tij është i përgatitur për të dhënë maksimumin dhe se rezultat pozitiv për Shkëndijën është fitorja.
“Do të jetë një ndeshje festive, do të jetë një spektakël i vërtetë si në tribuna ashtu edhe në fushë. Kam besim se si skuadra jonë, ashtu edhe Drita, janë të përgatitura për të dhënë maksimumin. Është një ndeshje me rëndësi të veçantë në kompeticion europian, dhe shpresoj që duke dhënë maksimumin dhe performancën më të mirë, të arrijmë rezultat pozitiv, që për ne do të ishte fitorja. Tifozët tanë të jashtëzakonshëm, por edhe të tjerët që do të jenë në ‘Fadil Vokrri’, do të krijojnë një atmosferë fantastike që do të motivojë futbollistët”, ka thënë ai. “Gjithsesi, do të jetë një ndeshje e fortë dhe korrekte, dhe fituesi do të jetë skuadra që do të tregojë më shumë në fushë dhe do ta shfrytëzojë më mirë fatin sportiv dhe rastet e krijuara”.
E mesfushori Endrit Krasniqi, i cili ka fituar tituj në këtë stadium, ka thënë se shpreson që edhe nesër fat i takojë Shkëndijës. “Në karrierën time, në shumicën e kohës kam qenë këtu. Kam kaluar një kohë fantastike. Shpresoj që edhe nesër të dalim triumfues”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se është i lumtur që edhe Drita luan në këtë nivel, por dëshira e tij mbetet fitore për Shkëndijën

