Çfarë u tha mirë e çfarë jo në seancën e Kongresit ku Kurti u përshkrua si pengues për DASH’in- Serwer del me analizë

by Nexhat

Profesori amerikan, Daniel Serwer, i ka bërë një analizë dëshmisë se djeshme në Kongres të Edëard Joseph, Luke Cofey the Max Primorac, të cilët kanë folur për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosovën, Serbinë dhe janë përgjigjur pyetjve specifike të anëtarëve të Nënkomitetit të Evropës në Dhomën e Përfaqësuesve,.

Serwer ka thënë se dyshon që rajoni është vërtetë në një pikë të nxehtë, megjithatë s’ka përjashtuar mundësinë që të ketë përshkallzim. Profesori amerikan ka thënë se dyshon që nevoja kryesore e rajonit është stabilitet, derisa dëshmitë dhe pyetjet e bëra gjatë seancës i ka cilësuar të arsyeshme më shumë sesa jo.

banner

Sipas njohësit të rajonit, tre dëshmitarët e kanë pasur mirë kur kanë konstatuar se Serbia është burim i shumë problemeve në Ballkan.

“Korrupsioni i saj, qeveria gjithnjë e më autokratike, lidhjet tregtare dhe ushtarake me Kinën, si dhe lidhjet politike dhe ekonomike me Rusinë janë probleme të mëdha”, ka shkruar Serwer.

Gjithashtu ai e ka vlerësuar si pozitive qëndrimin e Joseph, Coefy e Primorac, të cilët njëzëri kanë kërkuar përkrahje të SHBA-së për Kosovën, pavarësisht faktit se kanë deklaruar se nga DASH, Kurti shihet si pengues.

“Ata donin të shihnin mbështetje të fortë për Kosovën dhe për shqiptarët në Serbinë jugore, pavarësisht mospëlqimit të burokracisë së Departamentit të Shtetit për Kryeministrin e Kosovës Kurti”, ka shkruar tutje.

Tutje Serwer ka përmendur edhe diskutimet rreth Bosnje e Hercegovinës dhe heqjen e sanksioneve ndaj Millorad Dodik.

“Dëshmitarët dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve vunë në pikëpyetje mençurinë e Administratës Trump në lehtësimin e sanksioneve ndaj Milorad Dodik, ish-presidentit të entitetit serb (Republika Srpska) në Bosnjë, dhe miqve të tij. Askush nuk mundi të identifikonte një përfitim të qartë për SHBA-në. Të gjithë pyesnin veten nëse kjo ishte bërë me urdhër të lobistëve të njohur të Uashingtonit pranë Administratës Trump. Dhe ndoshta në ndjekje të interesave private të familjes Trump. Disa mbështetën rivendosjen e sanksioneve”, ka shtuar Serwer.

Profesori amerikan Serwer megjithatë s’është pajtuar me optimizmin e treguar nga dëshmitarët në Kongres, për afrimin e Serbisë drejt Perëndimit. Sipas tij, Vuçiq s’ka interes që të rrezikojë pushtetin e tij duke e frenuar korrupsionin dhe duke këputur lidhjet me Kinën dhe Rusinë.

“Ai nuk ka interes që Serbia ose Bosnja të bashkohen me NATO-n. Vuçiç është shumë më i interesuar të ndihmojë Trumpin të ndërtojë një projekt hoteli në Beograd. Ai mendon, me arsye të mira, se kjo do të mjaftojë për t’i blerë kredi në Uashington”, shprehet Serwer.

Në shkrimin e tij, Serwer del edhe kundër idesë së heqjes së pozitës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje, meqë thotë se rrezikohen Marrëveshjet e Dejtonit.

“Max Primorac i Fondacionit Heritage mbështeti eliminimin e “Përfaqësuesit të Lartë” të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë. Ai gjithashtu donte një “entitet të tretë” për kroatët. Këto dy lëvizje do të rrëzonin marrëveshjet e Dejtonit dhe do të çonin në shkëputjen e të dy entiteteve, serbe dhe kroate, duke filluar luftë me një entitet boshnjak të papërcaktuar mirë në Bosnjën qendrore. Kjo është padyshim një ide e keqe. Me mençuri, Luke Coffey dhe Ed Joseph mbështetën mbështetjen e marrëveshjeve të Dejtonit për Bosnjën”, shton ai.

Në fund Serwer thotë se rajoni është më i qëndrueshëm sot dhe se ka nevojë për ndryshime politike.

“Ajo që i duhet rajonit sot është ndryshimi politik, jo stabiliteti. Por duhet të jetë një ndryshim i menduar mirë në një drejtim demokratik, evropian dhe perëndimor. Rusët dhe kinezët po ushqehen me tensione etnike, status të pasigurt dhe autokratë të korruptuar. Braktisja e Dejtonit do të ishte një dhuratë për ta.Ndryshimi duhet të nënkuptojë më shumë të drejta individuale në Bosnjë, më shumë sovranitet në Kosovë dhe më pak autokraci në Serbi. SHBA-të mund të inkurajojnë demokratizimin dhe të ndihmojnë ata që duan ta arrijnë atë, por u takon boshnjakëve, kosovarëve dhe serbëve të marrin përgjegjësi. Pasi ta bëjnë këtë, përparimi drejt anëtarësimit në BE dhe NATO do të jetë i lehtë, jo i vështirë.”, ka përfunduar Serwer.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy