Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se sjellja e anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, ndaj gazetarëve është e papranueshme.
OSBE tha se liria e medias dhe diskursi publik i përgjegjshëm janë thelbësore për demokracinë e Kosovës.
“Përfaqësuesit politikë në organet e pavarura duhet të mbështesin standardet më të larta të profesionalizmit dhe respektit”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
Gjuhën agresive të Kurteshit kundrejt gazetarëve dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar edhe Zyra e BE-së në Kosovë dhe organizata tjera që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.
Kurteshi, në një reagim publik, e quajti AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale” dhe listoi një sërë mediash, që sipas tij operojnë si “vrasës me pagesë”.
Për këto akuza, AGK tha se përveç që janë të pabaza, paraqesin rrezik real për sulme të mundshme në të ardhmen ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të mediave në punën e tyre profesionale në terren.

