Pranohen 261 materiale që nuk kanë të bëjnë me asnjë dëshmi të dëshmitarëve në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

by Nexhat

Me kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe asaj të Jakup Krasniqit janë pranuar në prova materiale 261 dokumente që nuk kanë të bëjnë me asnjë dëshmi të dëshmitarëve, në rastin në të cilin Thaçi dhe Krasniqi së bashku me Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep e cila tha se në këto dy kërkesa ishin edhe 49 dokumente të tjera të cilat u refuzuan me arsyetimin se nuk ishin relevante për akuzat, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

“Më 1 dhjetor, trupi gjykues miratoi pjesërisht një kërkesë të mbrojtjes së Krasniqit për pranim në prova të 144 materialeve që nuk kanë të bëjnë më asnjë dëshmi të dëshmitarëve. Trupi gjykues pranoi në prova 112 prej këtyre materialeve dhe refuzoi 32 prej tyre… Trupi gjykues miratoi pjesërisht një kërkesë të mbrojtjes së Thaçit për pranim në prova të 166 materialeve që nuk kanë të bëjnë më asnjë dëshmi të dëshmitarëve. Trupi gjykues pranoi 149 prej këtyre materialeve dhe refuzoi 17 prej tyre me konstatimin se ato nuk janë relevante për krimet për të cilat janë ngritur akuza në këtë çështje, ose sepse mbrojtja nuk shpjegoi relevancën e tyre në lidhje me ndonjë fakt apo rrethanë në këtë çështje”, tha Griep.

Ndërsa, me 3 dhjetor 2025, trupi gjykues kishte lëshuar një vendim në lidhje me faktet për të cilat janë pajtuar, rrjedhimisht u vërtetuan 29 prej tyre dhe nuk pranoi 20 të tjera për të cilat nuk pati pajtueshmëri mes palëve.

Kurse në çështjen e Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt Fadil Fazliut, dhe Hajredin Kuçit, lidhur me pretendimet për ndikim të paligjshëm ndaj dëshmitarëve, Griep tha se më 2 dhjetor gjyqtari i vetëm miratoi një kërkesë të Prokurorisë për të kërkuar informacion të mëtejshëm në lidhje me një raport të një instituti të jashtëm për kriminalistikë në lidhje me kërkimin e një deklarate konkrete në të dhënat dixhitale të nxjerra nga printerat dhe kompjuterat që pretendohet të jenë përdorur nga Hashim Thaçi në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy