Fituesit e zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë nisur të betohen si kryetarë të komunave.
Në këtë rast, nesër këtë do ta bëjnë edhe kryetarët e komunave veriore, ku ka fituar Lista Serbe.
Këto komuna ishin udhëhequr nga kryetarë shqiptarë, pasi Lista Serbe kishte bojkotuar institucionet.
Por, Lista Serbe do kthehet në pushtet pasi mori pjesë në zgjedhje dhe fitoi në to. Për këtë ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë për KOHA se ministira ka krijuar ekipe për monitorimin e seancave inauguruese, të cilat do të jenë të pranishme fizikisht në të gjitha mbledhjet për të siguruar respektimin e të gjitha procedurave kushtetuese dhe ligjore.
Në rast se nuk zbatohen, Krasniqi thotë se ministria do t’i shpall inaugurimet të paligjshme dhe jolegjitime.
“MAPL ka krijuar ekipe për monitorimin e seancave inauguruese, të cilat do të jenë të pranishme fizikisht në të gjitha mbledhjet për të siguruar respektimin e të gjitha procedurave kushtetuese dhe ligjore. Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jo legjitime seancat përkatëse”, ka thënë Krasniqi

