Shkruan Bajram Gecaj – Analist politik
Deklarata e Edward Joseph është më shumë se një paralajmërim diplomatik. Është një sinjal i kuq që s’mund të shpërfillet: “Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të përballojë të armiqësohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Kjo fjali, e thënë nga një njohës i thellë i Ballkanit, është e drejtpërdrejtë, e saktë dhe e pakontestueshme. Pa SHBA-në nuk do të ishim aty ku jemi sot — dhe pa SHBA-në nuk mund të lëvizim asnjë hap përpara.
Por dilema e madhe është se ky mesazh, ndonëse i qartë si drita e diellit, nuk po lexohet nga të gjithë me seriozitetin që meriton. Shumë analistë vazhdojnë të mendojnë se qeveria aktuale funksionon brenda logjikës tradicionale të politikës. Nuk funksionon. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse po përplasemi me realitetin.
Qasja politike e Albin Kurtit, e vlerësuar nga shumë kritikë, nuk i ngjan profileve të udhëheqësve që synojnë integrimin euro-atlantik. Përkundrazi, ajo shpesh përkujton qasje konfrontuese dhe ideologjike që historikisht kanë sjellë izolim, jo përparim. Retorika e “qëndresës” për hir të qëndresës është e rrezikshme. Shqipëria e viteve ‘60-‘70 ishte shembulli më dramatik i saj — dhe pasojat i pagoi populli, jo lideri.
Prandaj nuk mjafton më diplomacia klasike. Nuk mjaftojnë më thirrjet e buta. Partnerët tanë ndërkombëtarë po e thonë hapur: Kosova po lëviz në drejtimin e gabuar. Dhe përderisa SHBA dhe BE po flasin me tone të forta, një pjesë e shoqërisë sonë, e dehur nga populizmi dhe propaganda, ka humbur busullën.
28 dhjetori është momenti i fundit i kthjellimit politik
Ky është një udhëkryq historik:
– O orientohemi qartë drejt NATO-s dhe BE-së,
– Ose rrezikojmë të devijojmë nga rruga që brezat e tërë e kanë ndërtuar me sakrificë.
Kosova meriton stabilitet, aleanca të forta dhe një qeverisje që kupton se partneriteti me SHBA-në nuk është opsion — është themel i shtetit tonë.
Prandaj them me bindje: kthimi në racionalitet dhe përgjegjësi politike është i domosdoshëm.
Dhe këtë kthim e ofron vetëm një subjekt që ka treguar maturi shtetformuese, orientim perëndimor dhe përgjegjësi institucionale: Lidhja Demokratike e Kosovës.
E ardhmja jonë perëndimore nuk duhet të rrezikohet nga aventurizmi politik.
Koha për zgjedhje të mençura është tani.

