Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot e premte, në mëngjes një mbledhje elektronike, gjatë së cilës janë miratuar dy vendime që lidhen me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe menaxhimin e financave publike.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, kabineti qeveritar ka aprovuar ndarjen e fondeve për projekte të përbashkëta me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe rialokime buxhetore.
Vendimet e miratuara janë:
Ndarja e 141,680 eurove për realizimin e projekteve në kuadër të marrëveshjeve me trupat e OKB-së, me qëllim avancimin e bashkëpunimit dhe përkrahjen e programeve zhvillimore.
Miratimi i kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje të reja buxhetore, masë që synon optimizimin e shpenzimeve dhe funksionimin efikas të institucioneve në periudhën e tranzicionit qeveritar.
Qeveria nuk ka dhënë detaje shtesë mbi destinimin e saktë të fondeve ose llojin e projekteve që do të realizohen përmes OKB-së.

