Këshilltari kryesor politik i Komandantit të KFOR-it, Babur Hizlan, me 4 dhjetor kishte takuar katër kryetarët e komunave të Listës Serbe të cilët sot kanë marrë detyrën pas mbajtjes së seancave inauguruese.
I pranishëm në këtë takim përveç Milan Radojevic, Zoran Todic, Dragisa Milovic dhe Milos Perovic, ka qenë edhe Igor Simic.
Në këtë takim të djeshëm, këshilltari i Komandantit të KFOR-it kishte theksuar rëndësinë e transferimit të pushtetit pa probleme.
“Ata shkëmbyen pikëpamje mbi një sërë çështjesh. Ambasadori Hizlan i përgëzoi kryetarët e zgjedhur të bashkive dhe theksoi rëndësinë e një procesi të qetë tranzicioni. Ai gjithashtu u uroi atyre suksese në punën e tyre të rëndësishme të ardhshme në mbështetje të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe riafirmoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it ndaj mandatit të tij të gjatë të OKB-së”, thuhet në njofitm.

