Sonte në Pressing po diskutohet për betimin e kryetarëve në komunat veriore dhe mënyrën se si u zhvillua ky proces, përplasjet në distancë mes akterëve politikë si dhe listat zgjedhore të partive. Në studio janë Baton Haxhiu, Ilir Mirena, Parim Olluri, Blerim Latifi si dhe direkt, Bleron Baraliu.
Baton Haxhiu tha se Vetëvendosje ka shënuar rritje si pasojë e tri faktorëve kryesorë, të cilët sipas tij opozita nuk i përmend.
“VV është rritur në momentin kur është krijuar koalicioni PAN, për shkak të pakënaqësisë së madhe të njerëzve ndaj një koalicioni të madh që dukej jo parimor. Baza e dytë e rritjes së saj është shkuarja e liderëve në Hagë, ku humbi shpresa fare. Këto janë dy momentet e rritjes së madhe të VV”, tha Haxhiu.
Ai theksoi se sfidat që e kanë dëmtuar Vetëvendosjen këto pesë vite lidhen me mungesën e rezultateve në veri, trajtimin e manastirit të Deçanit si ekstra-territorialitet dhe nënshkrimin e marrëveshjes së Asociacionit – pika kryesore që, sipas tij, opozita nuk i përmend.
“Tema e madhe që e rrënon këtë parti e cila ka dështu këto pesë vjet: Nuk ka sjellë asnjë gjë në veri, e dyta: manastirin e Decanit e ka bërë një ekstra-territorialitet me nënshkrim të saj që e ka refuzuar dikur dhe ka nënshkruar marrëveshjen e Asociacionit, tri pikat kryesore që opozita nuk përmend”, tha Haxhiu.

