Zyrtari komunal Bekë Osmanaj ka njoftuar se të hënën, më 8 dhjetor, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, do të shfaqet premiera e dokumentarit “Plavjanët nuk u dorëzuan”. Ngjarja pritet të zhvillohet në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”, duke filluar nga ora 12:00.
Dokumentari sjell rrëfime të dëshmitarëve të gjallë dhe pamje autentike nga ngjarjet dramatike të shtatorit të vitit 1998, kur mijëra shqiptarë të Dukagjinit dhe të Kosovës u përballën me dhunë të egër nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Filmi rikthen në kujtesë betejën e tyre për mbijetesë, një përpjekje që autorët e përshkruajnë si “luftë titanike” kundër represionit të pushtuesit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në qendër të dokumentarit qëndron edhe kronika e zgjeruar e ngjarjeve në fshatin Meteh të Plavës, ku mijëra shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre u ndaluan nga forcat proserbe, të cilat synonin ndarjen e burrave nga gratë e, më pas, ekzekutimin e tyre. Sipas rrëfimeve, falë guximit dhe rezistencës së plavjanëve dhe forcave progresiste të Malit të Zi, u arrit të parandalohej një masakër e përmasave të “Srebrenicës së dytë”.
Premiera pritet të tërheqë interes të gjerë publik, si një kujtesë e fuqishme e tragjedive që kanë shënuar historinë e fundit të vendit dhe e rolit që solidariteti njerëzor pati në shpëtimin e mijëra jetëve.

