Rritja e pagës minimale në 425 euro: ekonomisti Mustafa e quan vendim të pamatur dhe populist

by informim peje

Vendimi për rritjen e pagës minimale në 425 euro bruto po konsiderohet vendim i pamatur dhe populist që po përdoret në kohë fushatash.

Ekonomisti Bashkim Mustafa, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, ka thënë se këto vendime po merren meqë, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje e ka parë rrezikun e rënies në elektorat, e për çka nëpërmjet këtyre metodave tenton të fitojë vota.

banner

“Së pari, kemi të bëjmë me një kryeministër që i mungon legjitimiteti qeverisës dhe, si i tillë, nuk ka të drejtë as ligjore dhe as mundësi ligjore të marrë vendime të tilla. Mundësitë në pozicionin në të cilin është janë totalisht të kufizuara dhe ky vendim është më tepër populist, në kohë fushate. Ai e sheh si momentum në të cilin po rrezikohet rënia e tij nga pushteti dhe, meqenëse LVV ka rënie, siç po shihet, mundohet që sadopak të ndikojë në blerjen e votës në mënyrë indirekte. Sa i përket çështjes tjetër, vendimi që pretendohet të implementohet nga të tjerët është vendim totalisht i pamatur, vendim i cili nuk mund të merret pa konsultime publike dhe pa Këshillin Ekonomik-Social, i cili ka kompetenca dhe është ai që zbaton një vendim të tillë”, tha ai.

Derisa Qeveria vlerëson se vendimi për rritjen e pagës minimale, i cili do të hyjë në fuqi nga janari i vitit 2026, është i drejtë, sipas Mustafës janë bizneset ato që do të pësojnë.

“Kjo buxhetit të Kosovës nuk i kushton asgjë, por i kushton bizneseve. Ky vendim është marrë që të implementohet nga bizneset, por do t’ua ulë fuqinë financiare në proporcion me rritjen e pagës, qoftë në aspektin investiv, qoftë në aspekte të tjera. Si i tillë, punëtorët do të përfitojnë, por është vendim i pamatur, i pallogaritur mirë dhe me impakt që mendoj se do të ketë më shumë pasoja ekonomike sesa përfitime”, theksoi ai.

Mustafa nënvizoi se Kurti do të duhej të krijonte politika të qëndrueshme që do të ndikonin pozitivisht në biznese.

“Kryeministri në detyrë, në dorëheqje, të cilit i ka kaluar i gjithë legjitimiteti ligjor dhe kushtetues, është duke mbajtur peng institucionet. Ka pasur pesë vite në dispozicion që të bëjë lëvizje të tilla. Me zgjedhjet e vitit të kaluar ka marrë vendime të tilla dhe ka rritur pagën minimale, ndërsa tani të njëjtën po e përdor për qëllime politike. Po t’ua donte të mirën punëtorëve të shtetit dhe sektorit privat, ai do të krijonte politika të qëndrueshme që do të ndikonin pozitivisht dhe nga viti në vit do t’ua impononin bizneseve ta rrisnin pagën minimale në proporcion me rritjen e kërkesës dhe fuqisë blerëse që ka ekonomia e vendit dhe qytetarët”, potencoi ekonomisti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto, nga 350 euro sa është tani. Ndërsa nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë, ku paga minimale bëhet 500 euro. Ai gjithashtu njoftoi se përfitues nga vendimi do të jenë rreth 150 mijë punëtorë./EO

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy