Festivali Sunny Hill shpërblehet me Çmimin për Impakt Ekonomik 2025 nga Oda Ekonomike e Kosovës

by informim peje

Festivali Sunny Hill, një nga festivalet më të mëdha në rajon, është shpërblyer nga Oda Ekonomike e Kosovës me Çmimin për Impakt Ekonomik 2025, në kuadër të gala-mbrëmjes “THE BEST OF KOSOVA 2025”.

Festivali u vlerësua për kontributin e tij të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe për rolin e rëndësishëm që ka luajtur në forcimin e imazhit pozitiv të Kosovës në nivel ndërkombëtar, përmes muzikës dhe industrisë kreative.

banner

“Si festival muzikor, Sunny Hill ka krijuar një platformë ku muzika, kultura dhe kreativiteti bashkohen, duke promovuar talentet dhe duke forcuar lidhjen e Kosovës me skenën globale të industrisë muzikore. Përveç vlerës artistike dhe kulturore, Sunny Hill Festival ka pasur edhe ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. Organizimi i festivalit ka gjeneruar përfitime të konsiderueshme për sektorë të ndryshëm, përfshirë turizmin, hotelerinë, gastronominë, transportin dhe shërbimet mbështetëse”, thuhet në komunikatën për media.

Impakti ekonomik është vlerësuar të jetë rreth 22 milionë euro, ndërsa ndikimi në media vlerësohet në qindra miliona euro, me mbi 150 media të akredituara nga e gjithë bota.

Edicioni i këtij viti ka mbledhur mbi 100 mijë vizitorë gjatë tri ditëve të festivalit, nga afro 60 vende të ndryshme të botës. Hotelet në Prishtinë dhe qytetet përreth kanë qenë 99% të rezervuara. Organizatorët këtë vit kanë lansuar edhe platformën “Sunny Hill Travel”, e cila promovon turizmin dhe qëndrimin në Kosovë, ndërsa gjatë festivalit përdoruesit e saj kanë mundur të përfitojnë nga pakot e akomodimit, të cilat përfshijnë edhe biletat dhe transportin.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës theksuan se Festivali Sunny Hill përfaqëson një model të suksesshëm se si ngjarjet kulturore dhe muzikore mund të shndërrohen në motorë të zhvillimit ekonomik dhe të diplomacisë kulturore.

Këtë vit, në festival performuan emra të njohur ndërkombëtarisht si Dua Lipa, e cila u paraqit në kuadër të turneut të saj “Radical Optimism”, turneu më i madh dhe më i suksesshëm i karrierës së saj deri më sot. Ajo ka shënuar suksese të mëdha edhe në platformën Spotify, ku numëron rreth 40 miliardë dëgjime totale. Albumet “Future Nostalgia” dhe “Radical Optimism” kryesojnë këto shifra, ndërsa hitet si “Don’t Start Now” dhe “Levitating” kanë secila mbi një miliard dëgjime, duke dëshmuar se ajo është një nga artistet më të mëdha globale, me miliona dëgjues aktivë çdo ditë.

Po ashtu performuan Shawn Mendes, një nga emrat më të mëdhenj të pop-muzikës globale, me turneun e tij “On The Road Again”; Peggy Gou, një nga figurat më të respektuara dhe me ndikim në skenën globale të muzikës elektronike; Anyma, i njohur për integrimin inovativ të elementeve vizuale dhe teknologjike në performancat e tij si DJ; si dhe Fatboy Slim, i njohur për hitet klasike dhe karrierën e gjatë shumëdekadëshe.

Në skenat e festivalit ngjitën edhe artistë të tjerë të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, si Calvin Harris, J Balvin, Martin Garrix, Action Bronson, Skepta, Burna Boy, Miley Cyrus, Bebe Rexha, Stormzy, Black Coffee, The Martinez Brothers dhe shumë të tjerë.

Festivali këtë vit është nominuar për t’u zgjedhur si më i miri në Evropë, në kategorinë e Festivaleve të Mesme, nga “European Festival Awards”. Vitin e kaluar, në të njëjtën kategori, arriti të renditej ndër pesë festivalet më të mira.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy