Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins dhe njohës i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e Donald Trumpit, kanë një mundësi historike për ta përmbyllur “dramën e papërfunduar” të shpërbërjes së Jugosllavisë përmes integrimit të Kosovës dhe Serbisë në NATO.
Duke folur pas dëshmisë së tij para Nënkomitetit për Europën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në një seancë dëgjimore me temën “Pikë e nxehtë: Rruga drejt stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, Joseph tha se problemi themelor i paqëndrueshmërisë në rajon mbetet refuzimi i Serbisë për ta pranuar rendin perëndimor.
“Ngrita pyetjen thelbësore se pse një rajon ku SHBA, BE dhe NATO kanë ndikim vendimtar vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Kushti kryesor i papërmbushur për stabilitet real është që Serbia, si vendi më i madh në rajon, të pranojë rezultatet e luftërave dhe të orientohet qartë drejt Perëndimit, e jo drejt Rusisë dhe Kinës,” ka thënë Joseph në një intervistë për gazetën boshnjake “Avaz”.
Ai theksoi se kjo nënkupton heqjen dorë nga kërkesat për “kompensime” territoriale në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë apo Mal të Zi, si dhe ndërtimin e një partneriteti strategjik me SHBA-në, Bashkimin Europian dhe NATO-n.
Sipas Joseph, administrata Trump mund ta shfrytëzojë një mundësi që, sipas tij, presidenti Joe Biden e humbi, veçanërisht në raport me ndikimin rus në Serbi. Ai veçoi çështjen e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), ku Rusia ka rol kyç, duke thënë se SHBA duhet të insistojë në largimin e interesave ruse nga ky sektor strategjik.
“Presioni tani është real, pasi Serbia po përballet me mungesë rezervash të naftës dhe mbylljen e rafinerisë së saj të vetme. Nacionalizimi i NIS-it do të mund të shkaktonte një përçarje serioze mes Beogradit dhe Moskës dhe të hapte rrugën për hapa të mëtejshëm drejt Perëndimit,” u shpreh ai.
Joseph vlerëson se SHBA-ja mund ta mbyllë ciklin e krizave ballkanike pikërisht aty ku nisi shpërbërja e Jugosllavisë – në Kosovë. Ai theksoi se Trump gëzon popullaritet të madh në Serbi dhe perceptohet si lider i fortë, gjë që, sipas tij, mund ta ndihmojë në shtyrjen e Beogradit drejt NATO-s, paralelisht me Kosovën.
“Serbët janë më të hapur ndaj NATO-s sesa mendohet. Sipas hulumtimeve të fundit, rreth gjysma e popullsisë në Serbi ka qëndrim pozitiv ndaj Aleancës, të paktën në aspektin e komunikimit. Një ofertë e qartë për Kosovën drejt NATO-s do ta ndryshonte ndjeshëm llogaritjen politike në Beograd,” tha Joseph.
Ai kritikoi ashpër qasjen e administratës Biden ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar atë si të pabalancuar dhe selektive në ndëshkime. Joseph përmendi rastet e dhunës ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, rrëmbimin e policëve kosovarë dhe ngjarjet në Banjskë, duke theksuar se mungesa e presionit ndaj Serbisë ka krijuar terren për përshkallëzim të situatës.
Në fund, Joseph foli edhe për Bosnje e Hercegovinën, duke e quajtur krijimin e Republikës Srpska një “gabim kardinal” të Marrëveshjes së Dejtonit. Sipas tij, edhe vetë zyrtarët amerikanë e pranojnë këtë problem, kur paralajmërojnë Kosovën që të mos krijojë një strukturë të ngjashme përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pa adresimin e këtyre gabimeve strukturore dhe pa një orientim të qartë të Serbisë drejt Perëndimit, rreziku i krizave të reja mbetet i pranishëm,” përfundoi Joseph.

