Një shtetas i Kosovës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepër të rëndë penale, është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se ekstradimi është realizuar më 19 dhjetor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi i shtetasit kosovar B.A., i lindur në vitin 1994, është kryer nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me autoritetet gjermane, njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari ishte arrestuar në Gjermani pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga organet e drejtësisë së Kosovës, nën dyshimet për veprën penale “vrasje në tentativë”. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se ishte shmangur më herët nga procedurat gjyqësore në Kosovë.
Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, B.A. i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, ku do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Kosovës ka theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një nga mekanizmat kyç për lokalizimin dhe kthimin e personave të dyshuar që tentojnë t’u shmangen organeve të drejtësisë.

