Bashkimi Evropian është tërhequr nga propozimi për të nisur bisedimet me Kanadanë për anëtarësim të asociuar në bllok, pas mospajtimeve mes shteteve anëtare, pikërisht në prag të samitit BE-Kanada në Montreal.
Sipas një draft-deklarate të përbashkët, të siguruar nga gazeta The Guardian, palët nuk do të njoftojnë nisjen e një programi pune për zhvillimin e konceptit të anëtarësimit të asociuar. Në vend të kësaj, ato synojnë të përcaktojnë deri në samitin BE-Kanada të vitit 2027 konceptin e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë, pa anëtarësim të plotë të Kanadasë në BE.
Çështja nisi pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, befasoi shumëkënd muajin e kaluar, kur gjatë fjalimit për gjendjen e Bashkimit Evropian deklaroi se BE-ja do ta shqyrtonte mundësinë e anëtarësimit të asociuar për Kanadanë.
Propozimi u cilësua si një zhvillim i rëndësishëm në historinë e BE-së, pasi do t’i mundësonte një vendi jashtë bllokut lidhje shumë më të afërta me të. Që nga anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013, BE-ja nuk ka pranuar asnjë shtet të ri si anëtar.
Nisma u pa gjithashtu si një shenjë se po jepte rezultate thirrja e kryeministrit kanadez, Mark Carney, në samitin e Davosit në janar, që fuqitë e mesme të bashkëpunojnë më ngushtë.
Megjithatë, propozimi i Von der Leyen u prit me rezerva në disa kryeqytete evropiane, si për arsye politike, ashtu edhe ligjore. Meqë statusi i anëtarësimit të asociuar nuk ka një përkufizim të qartë në traktatet aktuale të BE-së, diplomatët ngritën pikëpyetje nëse Kanadaja do të mund të merrte pjesë në Këshillin Evropian, në organet ligjvënëse apo në proceset vendimmarrëse të bllokut, edhe pa të drejtë vote.
Në një takim të hënën, ambasadorët e vendeve anëtare diskutuan shqetësimet lidhur me propozimin, ndërsa u zotuan të gjenin një zgjidhje diplomatike për t’u tërhequr nga ideja e anëtarësimit të asociuar pa e vënë në pozitë të vështirë Von der Leyen.
Sipas The Guardian, Italia sugjeroi që të ruhej formulimi për anëtarësimin e asociuar, siç ishte propozuar nga Komisioni Evropian, duke ia lënë shteteve anëtare përcaktimin e hollësive. Ndërkaq, Gjermania propozoi një formulim më të kufizuar, duke iu referuar një “partneriteti gjithnjë e më të ngushtë të Kanadasë me BE-në”.
“Askush nuk është konsultuar për anëtarësimin e asociuar, përveç rrethit më të afërt të stafit të Von der Leyen, me sa duket. Shumë shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë, nuk ishin të kënaqura. Kjo është si të riparosh aeroplanin ndërsa ai është në fluturim”, ka thënë një diplomat për gazetën britanike.
Gjermania ka argumentuar se statusi i anëtarësimit të asociuar duhet të ruhet si një hap i përkohshëm për vendet kandidate që synojnë anëtarësimin në BE, si Ukraina dhe Mali i Zi, duke theksuar se ky status nuk ka bazë formale në traktatet aktuale të bllokut.
Propozimi ishte kritikuar më herët edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili e kishte cilësuar si “qesharak” idenë e anëtarësimit të asociuar të Kanadasë në BE. Ai kishte paralajmëruar se, nëse do ta interpretonte këtë nismë si një “akt armiqësor”, SHBA-ja mund të ndalte tregtinë me Evropën për shumë produkte.
Ndërkohë, lufta tregtare me SHBA-në, aleatin tradicional të Kanadasë, e ka shtyrë kryeministrin Carney të kërkojë partneritete të reja tregtare në mbarë botën.
Para samitit në Montreal, një raport i bankës kanadeze TD Economics vlerësoi se Kanadaja mund të përfitonte ndjeshëm nga thellimi i marrëdhënieve ekonomike me Evropën. Sipas raportit, heqja e barrierave tregtare në fusha me interes të përbashkët, si mbrojtja, energjia, mineralet kritike dhe tregjet digjitale, mund të mundësonte dhjetëra miliarda dollarë tregti shtesë.
Carney ka folur gjithashtu për nevojën që Kanadaja të zvogëlojë varësinë nga rrjeti satelitor Starlink i Elon Musk, pas një vendimi për kufizimin e përdorimit të tij në Ukrainë

