Derisa zgjedhjet e 28 dhjetorit po afrohen, dy prej figurave kyçe të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, kanë preferenca të ndryshme lidhur me përqindjen që duhet të marrë Lëvizja Vetëvendosje,
Konjufca në një intervistë në Kanal 10, ka thënë se LVV duhet të marrë mbi 45 %, për të shmangur bllokadën e krijimit të institucioneve.
“Pozicionimi nga shkurti deri në nëntor nuk ka qenë i rastësishëm, ai po konfirmohet edhe tani si një bllok i partive kundër LVV-së. Prandaj, rezultati i fitores mbi 45% është më i rëndësishëm se kurrë, në mënyrë që ta evitojmë bllokadën e mëtejshme dhe ta vazhdojmë punën për siguri e begati për Kosovën”, kishte deklaruar Konjufca.
Megjithatë kreu i LVV-së, Albin Kurti, në një intervistë për AFP, ka deklaruar se duhet synuar që të tejkalohet 50 %, meqë duhet një fitore vendimtare.
“Na duhet një fitore vendimtare. Në shkurt fituam me 42.3 për qind dhe kësaj radhe synojmë ta tejkalojmë 50 përqindëshin”, ka thënë Kurti për AFP.
Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar që të krijojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, pasi asnjë prej partive të ish-opozitës s’kanë pranuar që të bëjnë koalicion me Kurtin.

