Demokracia në Veprim ka njoftuar për ndërprerjen e energjisë elektrike në dy qendra të votimit dy orë para mbylljes së procesit të votimit.
“Dy orë para përmbylljes së procesit të votimit, po raportohet për ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy Qendra të Votimit. Poashtu në një vendvotim është raportuar se kodet në fletëvotime nuk po përputhen”, thuhet në komunikatën e orës 18:00 nga DnV.
Sipas DnV-së, kësaj radhe ka rritje të interesimit të qytetarëve për votim, duke theksuar se dalja deri në orën 17:00 është rreth 38,9% kësaj radhe, ndërkaq dalja në intervalin e njejtë kohor në zgjedhjet e 9 shkurtit ishte rreth 39%.
“Regjionet me dalje më të madhe janë komunat me shumicë serbe (47%) pasuar nga rajoni i Prishtinës ku dalja është (43%)”, njofton DnV.
DnV ka njoftuar se në 70% të vendvotimeve janë hasur raste kur votuesit janë gjendur në vendvotime joadekuate. Madje në 15% të vendvotimeve kjo dukuri ka qenë e shprehur deri në 30 raste.
“Deri në orën 17:00, raste të votimit me dokumente me afat të skaduar janë hasur në 30% të vendvotimeve, deri në 5 raste. Gjithashtu në 10% të vendvotimeve ka pasur deri në 4 raste kur votuesit janë identifikuar me dokumente jo valide”, vazhdon komunikata.
Ndërkaq gjithashtu deri në orën 17:00, raste të izoluara të fotografimit të votës kanë qenë gjithsej 21 raste, e hasur në 3% të vendvotimeve

