Biserko: Serbia vazhdon relativizimin e krimeve të luftës në Kosovë, BeH e Kroaci dhe vazhdon destabilizimin e rajonit

by Nexhat

Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare për vite me radhë ka ndjekur një politikë toleruese ndaj Serbisë, në dëm të vendeve fqinje, duke vlerësuar se ky qasje ka qenë një gabim serioz.

Në N1 BeH, Biserko theksoi se Serbia vazhdon të mohojë përgjegjësinë e saj për luftërat e viteve ’90 në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë, si dhe për veprimet destabilizuese në rajon.

banner

Sipas saj, autoritetet serbe relativizojnë vazhdimisht krimet e së kaluarës dhe mohojnë çdo rol në destabilizimin e shteteve fqinje, duke ringjallur një projekt shtetëror nacionalist që sot njihet me emrin “bota serbe”.

Duke folur për politikën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Biserko vlerësoi se vendimi i vetëm real që ai ka marrë është heqja dorë nga Kosova, por se kjo çështje vazhdon të përdoret për mobilizim të brendshëm politik dhe emocional.

“E vetmja gjë që Vuçiqi e ka bërë mirë është se ka hequr dorë nga Kosova, por vazhdon ta përdorë Kosovën si temë për të mobilizuar opinionin publik dhe për të mbajtur gjallë tensionet”, tha Biserko.

Ajo shtoi se Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiqit dhe Partisë Progresive Serbe, nuk ka hequr dorë nga projekti i saj i madhështisë shtetërore, por vetëm e ka përshtatur atë sipas rrethanave politike në rajon.

“Ky projekt nuk është braktisur. Ai vetëm ndryshon forma, kufij dhe emërtime, varësisht nga situata në Ballkanin Perëndimor”, paralajmëroi Biserko.

Ajo u ndal edhe te marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë, duke theksuar se Kroacia nuk është më pjesë e konceptit të ashtuquajtur “bota serbe”, kryesisht për shkak të distancimit të serbëve të Kroacisë nga politika e Vuçiqit.

Megjithatë, sipas saj, Kroacia vazhdon të përdoret nga Beogradi si “fajtore e përhershme”, përfshirë akuzat për revolucione të supozuara apo ringjalljen e vazhdueshme të narrativës për kërcënimin “ustash”.

Biserko përfundoi se marrëdhëniet politike dhe diplomatike mes Serbisë dhe Kroacisë janë pothuajse të ngrira që nga ardhja në pushtet e forcave aktuale në Beograd, duke theksuar se ky regres ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e gjithë rajonit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy