Carl Bildt, njohësi i çështjeve në rajonin e Ballkanit dhe ish-kryeministër i Suedisë, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social ‘’X’’, është deklaruar rreth zgjedhjeve në Kosovë, duke thënë se me rezultatin e arritur Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, duhet të formojnë qeverinë e re. Bildt, po ashtu kritikoi Kurti, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë për bllokimin e marrëveshjes së Ohrit.
Ndaj kësaj ka reaguar Jetpon Zulfaj, i cili është këshilltari i Kurtit. Zulfaj, në reagimin e tij, e ka ‘’korigjuar’’ Bildt, duke i thënë se marrëveshja është e Brukselit, ndërsa e Ohrit ka qenë vetëm aneks i saj.
Më tej, këshilltari i Kurtit, ka thënë edhe se, përparimi në çështjen e dialogut, po bllokohet nga ‘’sulmet terroriste të Serbisë’’.
‘’Një korrigjim i vogël, Carl Bildt: bëhet fjalë për Marrëveshjen e Brukselit. Ohri ishte vetëm një aneks i saj. Gjithashtu, përparimi në normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë po bllokohet nga sulmet terroriste të Serbisë (Banjskë dhe kanali Ibër-Lepenc). Të mos biem pre e propagandës së “Botës Serbe”, e ngjashme me “Russky Mir” të Rusisë’’, ka shkruar ai.


