DnV: Zgjedhjet e 28 dhjetorit, në përputhje me standardet demokratike

by Nexhat

Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 janë zhvilluar përgjithësisht në harmoni me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe konkurruese.

Sipas raportit të DnV-së, procesi i votimit gjatë Ditës së Zgjedhjeve ka qenë kryesisht i qetë dhe demokratik, pa incidente serioze të sigurisë që të cenonin integritetin e zgjedhjeve. Dalja e votuesve ishte relativisht e lartë, ndërsa shumica e parregullsive të evidentuara ishin të natyrës procedurale dhe nuk ndikuan në rezultatin përfundimtar.

banner

Procesi vendimmarrës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka qenë kryesisht konsensual, megjithatë janë evidentuar tensione politike për disa çështje të ndjeshme, si certifikimi i subjekteve politike, votimi jashtë vendit dhe emërimi i stafit zgjedhor. DnV thekson se refuzimi fillestar për certifikimin e Listës Serbe, i cili u korrigjua vetëm pas ndërhyrjes së Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme, tregoi ndikimin e konsideratave politike mbi vendimmarrjen administrative.

Sa i përket fushatës zgjedhore, DnV vëren një nivel relativisht të ulët entuziazmi qytetar dhe pjesëmarrje të pabarabartë, me fokus të theksuar mbi liderët partiakë dhe jo mbi kandidatët për deputetë. Përfaqësimi gjinor mbeti kryesisht formal, ku gratë ishin të nënpërfaqësuara si folëse në aktivitetet e fushatës, ndërsa asnjë subjekt politik nuk shkelte minimumin ligjor prej 30–35% në listat zgjedhore.

Procesi i votimit jashtë vendit u shoqërua me një interesim të lartë, veçanërisht në ambasada, ku u shënua një dalje mbi 84%. Megjithatë, votimi me postë paraqiti sfida logjistike dhe shqetësime mbi sigurinë dhe mbikëqyrjen. Lista e votuesve vazhdon të jetë problematike, duke mbetur më e lartë se popullsia rezidente dhe duke ndikuar në besimin publik.

DnV vlerëson se prania e gjerë e vëzhguesve, mbi 19,000 të akredituar nga KQZ, ka kontribuar në transparencën e procesit. Roli i vëzhgimit të pavarur vendor mbetet thelbësor për vlerësimin objektiv të zgjedhjeve në Kosovë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy