Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka konstatuar se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti II, pozitat kyçe në administratën shtetërore janë ushtruar nga ushtrues detyre në numër më të madh se gjatë qeverive të mëparshme, duke krijuar kështu precedent të rrezikshëm për institucionet publike.
Naim Jakaj, hulumtues në IKD, tha për Ekonomia Online se kjo praktikë ka rezultuar me vendime dhe udhëzime të nxjerra nga persona që kanë tejkaluar afatet ligjore, disa prej të cilave janë rrëzuar më pas nga Gjykata Supreme.
“Siç është parë gjatë qeverisjes Kurti II, është abuzuar me ushtruesit e detyrës në kuptimin që qeveria nuk ka arritur që për pozitat e rëndësishme në administratën shtetërore të Kosovës, siç janë tash sekretarët e ministrive dhe drejtorët e departamenteve të caktuara në nivel të lartë publik, të kryejë konkurset me rregull dhe efikasitet. Kjo pastaj ka sjellë pasoja, siç është njëri ndër aktgjykimet më të rëndësishme të Gjykatës Supreme, ku rrëzohet një udhëzim administrativ për faktin se ai ishte nxjerrë nga një sekretar të cilit i kishte kaluar mandati, sepse sipas ligjit të kaluar kishte qenë e caktuar periudha prej gjashtë muajsh për ushtrimin e një detyre të caktuar, me kushtin që të vazhdohej edhe për gjashtë muaj të tjerë, por një pozitë e tillë është ushtruar me tejkalim të afatit të paraparë në Ligjin për zyrtarët publikë”, tha ai.
Jakaj shtoi se disa ushtrues detyre vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre përtej afateve ligjore, duke nënshkruar udhëzime dhe vendime që mund të rrëzohen në Gjykatën Supreme.
“Një udhëzim administrativ i tillë është rrëzuar nga ana e Gjykatës Supreme. Një precedent i tillë është dashur të zbatohet nga ana e Qeverisë së Kosovës, por një gjë e tillë nuk është bërë. Ende ka ushtrues detyre të cilët përfitojnë nga fakti se Ligji për zyrtarët publikë, edhe me ndryshimet e reja që janë bërë, parashikon se zyrtari publik mund të ushtrojë funksionin e tij si ushtrues detyre për një vit, me kushtin e vazhdimit edhe për një vit shtesë. Ka ushtrues detyre që tashmë e kanë tejkaluar këtë afat dhe vazhdojnë ta ushtrojnë detyrën e tyre, duke nënshkruar udhëzime dhe vendime, të cilat, në rast se dërgohen në Gjykatën Supreme, mund të rrëzohen përsëri”, tha ai.
Ai vuri në dukje se pozitat e emëruara bazuar në lidhje personale apo politike, dhe jo në meritokraci, krijojnë rreziqe për funksionimin e drejtë të institucioneve.
“Nuk është njësoj kur një pozitë në administratën shtetërore ushtrohet nga një ushtrues detyre, krahasuar me një person që është zgjedhur në bazë të meritokracisë dhe jo në bazë të emërimeve politike apo ad hoc, të cilat mund t’i bëjë një ministër ose një person kyç në administratën shtetërore. Ai mund të jetë një person i besueshëm personalisht për eprorin e tij, por jo domosdoshmërisht i besueshëm për publikun, dhe kjo pastaj mund të ndikojë edhe në perceptimin e rritjes së korrupsionit në nivelin publik”, tha ai.
Sipas monitorimeve të IKD-së që nga viti 2021, ky mandat ka shënuar më shumë ushtrime të pozitave nga ushtrues detyre sesa qeveritë e kaluara, duke lënë të nënkuptohet një tentativë për “kapjen” e institucioneve nga qeveria, përmes emërimeve që janë më të besueshme ndaj individëve sesa ndaj ligjit.
“Nga monitorimi që Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka bërë që nga viti 2021, në këtë mandat ka pasur ushtrime të pozitave nga ushtrues detyre më shumë sesa në qeveritë e kaluara. Kjo lë të nënkuptohet se qeveria gjatë këtij mandati ka tentuar t’i kapë institucionet, sepse këta të emëruar pritet të jenë më të besueshëm ndaj personit sesa ndaj ligjit të caktuar në nivel të Kosovës”, tha ai./EO

