Pas akuzave të Sali Berishës ndaj Kreut të Delegacionit të BE në Tiranë, Silvio Gonzato, duke e cilësuar atë ambasador të Edi Ramës, vjen reagimi i diplomatëve të vendeve të Bashkimit Europian. Në një deklaratë të përbashkët të publikuar në rrjetet sociale nga ambasadori i Qipros në Athinë, vendi që ka presidencën e BE-së, Stavros Avgoustides, thuhet se qëndrojnë të bashkuar në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, ndërsa kritikat i cilësojnë të pajustifikuara.
Në reagim thuhet se: “Në Ditën e Europës, ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, dhe rikonfirmojmë besimin tonë të plotë në profesionalizmin, integritetin dhe shërbimin e tyre të përkushtuar”.
Ndërkohë zëdhënësi i Komisionit Evropian, është shprehur se deklarata të tilla janë të papranueshme.
“BE-ja dënon me forcë sulmet personale të bëra në Ditën e Evropës ndaj Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ambasadori i BE-së ka vepruar në çdo kohë me profesionalizëm dhe integritet të plotë. Ne kemi besim të plotë tek ai dhe puna e tij”, thuhet në reagim.
Një ditë më parë, kreu demokrat, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, akuzoi ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, se diplomati ka thënë në Bruksel që opozita nuk mbështet integrimin e Shqipërisë.


