Vdes në aksident gjyqtari kyç në hetimet ndaj Netanyahut, autoritetet hapin hetim

by engel

Gjyqtari Benny Sagi, president i Gjykatës së Qarkut në Beersheba dhe një nga figurat kyçe në trajtimin e çështjeve të ndjeshme të korrupsionit, ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku. Sagi humbi jetën pasi një automjet u përplas me motorin e tij në një autostradë pranë kibucit Kfar Menachem, në lindje të qytetit Ashdod.

Sipas policisë, automjeti i përfshirë në aksident ka dalë nga një rrugë dytësore në autostradë, duke goditur motorin e gjyqtarit. Shërbimi i emergjencës Magen David Adom bëri të ditur se ekipet mjekësore që mbërritën në vendngjarje e cilësuan aksidentin si jashtëzakonisht të rëndë, ndërsa Sagi u gjet me plagë të shumta dhe pa shenja jete, duke u shpallur i vdekur në vend.

banner

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Oficerë nga stacioni policor i Kiryat Malachi, së bashku me hetues të specializuar të aksidenteve rrugore, janë angazhuar në shqyrtimin e shkaqeve të përplasjes.

Benny Sagi ishte emëruar president në detyrë i Gjykatës së Qarkut Beersheba në qershor të vitit 2024, ndërsa në prill 2025 mori detyrën në mënyrë të përhershme. I lindur në vitin 1971, ai kishte një karrierë të gjatë dhe të dalluar në sistemin e drejtësisë izraelite, duke shërbyer fillimisht në Prokurorinë e Shtetit dhe më pas në disa nivele të gjyqësorit, përfshirë Gjykatën e Qarkut të Tel Avivit.

Sagi ishte i njohur gjerësisht për përfshirjen e tij në çështje të profilit të lartë, përfshirë hetimet ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu në të ashtuquajturin skandal i nëndetëseve.

Vdekja e tij ka ngjallur reagime të forta në institucionet shtetërore. Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, shprehu tronditjen dhe pikëllimin për humbjen, duke e cilësuar Sagi-n si një jurist të shquar dhe të ndershëm. Edhe kryetari i Gjykatës Supreme, Isaac Amit, deklaroi se sistemi gjyqësor ka pësuar një humbje të madhe, duke e përshkruar Sagi-n si një gjyqtar dhe lider me aftësi të jashtëzakonshme.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy