Qyteti i Deçanit është tronditur mbrëmë pas mesnate nga një incident i rëndë me armë zjarri, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur brenda një lokali, ku pas të shtënave në vendin e ngjarjes kanë intervenuar menjëherë njësitet e Policisë së Kosovës dhe ekipet emergjente mjekësore. Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë dhe më pas janë dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Burime bëjnë të ditur se nga incidenti kanë mbetur të plagosur dy persona të nacionalitetit serb dhe një i nacionalitetit shqiptar. Policia e Kosovës ka konfirmuar se lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar, i cili dyshohet se ka shtënë me armë zjarri. Gjatë intervenimit policor është sekuestruar edhe arma që dyshohet se është përdorur në këtë incident.
Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar, ndërsa rasti është iniciuar për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “lëndim i rëndë trupor”.
Hetimet janë duke vazhduar, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

