TikTok ka siguruar vazhdimin e aktivitetit në Shtetet e Bashkuara pas një marrëveshjeje që ndryshon pronësinë dhe menaxhimin e të dhënave. Algoritmi i aplikacionit do të licencohet dhe kontrollohet nga një entitet i ri amerikan, duke mbyllur përkohësisht një debat të gjatë politik dhe ligjor.
TikTok ka arritur një marrëveshje që e lejon të vazhdojë funksionimin në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë fund një përplasjeje disavjeçare politike dhe ligjore mes Uashingtonit dhe Pekinit.
Marrëveshja vjen pas presioneve të vazhdueshme të autoriteteve amerikane, të cilat kishin paralajmëruar ndalimin e aplikacionit në janar 2025 nëse kompania kineze ByteDance nuk do të shiste operacionet e saj në SHBA.
Thelbi i konfliktit ka qenë algoritmi i fuqishëm i TikTok, që përcakton përmbajtjen e sugjeruar për përdoruesit dhe që konsiderohej rrezik për sigurinë kombëtare nga ligjvënësit amerikanë, për shkak të frikës se të dhënat e përdoruesve mund t’i kalonin Kinës.
ByteDance dhe TikTok i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.
Pas një beteje ligjore dhe një ndërprerjeje të përkohshme të aplikacionit në SHBA vitin e kaluar, administrata Trump vendosi ta shtyjë zbatimin e ligjit dhe të negociojë një zgjidhje.
Sipas marrëveshjes së re, do të krijohet një entitet i pavarur i cili do të menaxhojë të dhënat, aplikacionin dhe algoritmin për tregun amerikan. Algoritmi do të licencohet dhe do të trajnohet vetëm mbi të dhëna të përdoruesve amerikanë, të ruajtura dhe të mbrojtura në infrastrukturën cloud të kompanisë Oracle, në përputhje me rregullat e SHBA-së për privatësinë dhe sigurinë kibernetike.
Pronësia e TikTok në SHBA do të ndahet mes investitorëve amerikanë dhe ndërkombëtarë.
Presidenti Donald Trump e përshëndeti marrëveshjen, duke deklaruar se ishte “shumë i lumtur që ndihmoi në shpëtimin e TikTok”, të cilin e cilësoi si një zë të rëndësishëm dhe faktor ndikues te vota e të rinjve. Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet në algoritëm mund të ndikojnë në mënyrën se si funksionon aplikacioni për rreth 200 milionë përdorues amerikanë, por efektet konkrete mbeten ende të paqarta.

