Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vazhduar serinë e takimeve me kategori të ndryshme shoqërore, sot ka takuar profesorë universitarë e diplomatë.
Por Abdixhiku nuk ka mundur t’i shmanget faktit që sot në Kuvendin e Kosovës ka pasur dhunë.
Ai ka thënë se kjo nuk është metoda e LDK-së dhe për këtë janë krenarë.
”Një episod i errët i historisë parlamantare në vend; në një kohë kritike për Republikën dhe të ardhmen tonë si shtet. Dhuna nuk është mjet, nuk ishte as sot e nuk ishte as dje. Dhuna në Kuvendin e Kosovës është shëmti. Ajo shpërfytyron vet demokracinë dhe kulturën politike për të cilën kemi nevojë si shoqëri. LDK e refuzon këtë qasje si mjet. Siç dhe refuzon gjuhën polarizuese, përçarëse e nxitëse që është bërë tashmë standard i sjelljes së pushtetit. Dhe jemi krenarë për këtë“, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.