Dhjetëra minatorë të ndërrimit të dytë në Minierën e Trepçës kanë mbetur të ngujuar për disa orë qindra metra nën tokë, si pasojë e një defekti në furnizimin me energji elektrike. Situata është konfirmuar nga Sindikata e Punëtorëve të “Trepçës”, e cila ka bërë të ditur se tashmë gjendja është normalizuar dhe puna ka rifilluar.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, ka deklaruar se minatorët kanë arritur të dalin nga miniera pas rikthimit të energjisë elektrike.
“Po e konfirmoj që minatorët kanë mbetur të ngujuar, por kanë dalë. Ka qenë për shkak të një defekti me rrymën, më shumë detaje nuk kam. Rreth gjashtë apo shtatë orë kanë mbetur nën tokë. Tashmë situata është kthyer në normalitet dhe puna ka rifilluar”, ka thënë Jonuzi në një përgjigje për EO.
Më herët gjatë ditës ishte raportuar se dhjetëra minatorë nuk kishin arritur të dilnin nga miniera pas përfundimit të ndërrimit të dytë, për shkak të problemeve me furnizimin me energji elektrike. Sipas këtyre raportimeve, ata kishin mbetur të bllokuar në horizontet 10, 9 dhe 8, qindra metra nën sipërfaqe.
Po ashtu, ishte bërë e ditur se minatorët ishte dashur të përfundonin ndërrimin dhe të dilnin disa orë më herët, por ndërprerja e rrymës kishte pamundësuar funksionimin normal të ashensorëve dhe daljeve të sigurisë.
Kjo nuk është hera e parë që raportohet për raste të tilla në Minierën e Trepçës. Vetëm disa ditë më parë, për shkak të një defekti të ngjashëm në energjinë elektrike, disa minatorë kishin mbetur po ashtu të bllokuar qindra metra nën tokë, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe kushtet e punës në këtë minierë.

