Kushtetuesja vendos: Zgjedhja e nënkryetarit serb ishte antikushtetuese

by Nexhat

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së ankesës së Listës Serbe, kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë gjatë seancës konstituive.

Ky institucion ka konstatuar se procedura e zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb nuk ishte në përputhje me Kushtetutën.

banner

“Gjykata, ka vendosur: (i) të deklarojë, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [Nr.09-V-071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6  dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër që, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues; si dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masë të përkohshme.”

Në këtë kontekst, Kryetari i zgjedhur i Kuvendit kërkoi nga përfaqësuesi i shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb që të propozojë deputetin e radhës të pakandiduar deri në atë moment nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, respektivisht, deputetin Nenad Rašić. Megjithatë, si rezultat i refuzimit për të propozuar të njëjtin nga radha e shumicës së deputetëve të komunitetit Serb, Kryetari i zgjedhur i Kuvendit vlerësoi se deputetët e këtij komuniteti po “refuzojnë” që të propozojnë kandidatin e pakandiduar deri në ato momente, prandaj vazhdoi me procedurën e shortit të përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, me ç’rast, konstatoi se ka mbetur vetëm një kandidat pa u votuar 3 (tri) herë radhazi dhe hodhi në votim emrin e tij.

Deputeti Nenad Rašić mori 71 (shtatëdhjetë e një) vota për, 9 (nëntë) kundër dhe 24 (njëzet e katër) abstenime. Me këtë rast, Kryetari i zgjedhur i Kuvendit konstatoi se ishte zgjedhur edhe nënkryetari i fundit i Kuvendit, përkatësisht nënkryetari nga komuniteti Serb, dhe e përmbylli Seancën Konstituive të Kuvendit, e cila kishte filluar më 15 prill 2025.

Gjykata konstatoi se objekt i vlerësimit në këtë rast, është çështja nëse procedura për zgjedhjen e deputetit Nenad Rašić si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nëpërmjet Vendimit [Nr.09-V-071] të Kuvendit të 10 tetorit 2025, është në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit.

“Duke iu referuar parimeve të përgjithshme që burojnë nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, të cilat janë të përcaktuara në praktikën gjyqësore të Gjykatës, e që janë relevante në rrethanat e rastit konkret, rezulton se: (i) Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe 5 (pesë) nënkryetarë, të cilët formojnë Kryesinë e Kuvendit; (ii) 3 (tre) nënkryetarë propozohen nga 3 (tri) grupet më të mëdha parlamentare; ndërsa 2 (dy) nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend, përkatësisht komunitetin Serb dhe komunitet tjera që nuk janë shumicë; si dhe (iii) në mënyrë që të zgjedhën kandidatët për Kryetar/e dhe nënkryetarë, kërkohen votat e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht 61 (gjashtëdhjetë e një) vota.

Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse. Aktgjykimi thekson se, ky standard është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen kushtetuese të të drejtave të komuniteteve që nuk janë shumicë edhe në kuptim të kërkesave të paragrafit 7 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] të Kushtetutës, ngase është përgjegjësi e shumicës që të sigurojë përfaqësim efektiv të komuniteteve që nuk janë shumicë në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në Kryesinë e Kuvendit.  Njëkohësisht, është përgjegjësi e komuniteteve që nuk janë shumicë, që në realizimin e të drejtave kushtetuese, të sillen në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.”

Aktgjykimi më tutje sqaron se mekanizmat e debllokimit, përfshirë që votimi për kandidatin/en e njëjtë mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për të njëjtin kandidat dhe procedura e shortit, duhet të vijnë në shprehje vetëm në rrethana përjashtimore dhe për qëllimin për të cilin ato janë përcaktuar, përkatësisht në funksion të konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh edhe afatet kohore të përcaktuara në Kushtetutë, në mënyrë që organi legjislativ të bëhet funksional brenda afatit prej 30  ditësh.

“Siç është elaboruar në aktgjykim, zbatimi i këtyre mekanizmave në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Kjo për arsye se, propozimi i kandidatëve për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë është e drejtë e shumicës së deputetëve të atyre komuniteteve.

Ky parim ka rëndësi veçanërisht duke pasur parasysh përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilët nuk i kanë votat e nevojshme për të siguruar zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në Kryesinë e Kuvendit.”

Kësisoj, Gjykata arriti në përfundimin se shumica e deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, duke propozuar 9 (nëntë) kandidatë.

“Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë. Gjykata në fund sqaron që, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky Aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues.” 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy