Revista “Buletini i Shkencëtarëve Bërthamorë” e ka vendosur në mënyrë simbolike “Orën e Kjametit” apo Apokalipsin në 85 sekonda para mesnatës, duke shënuar kështu momentin më të afërt me “fundin” që nga krijimi i saj.
Ky tregues simbolik pasqyron, sipas Euronews, nivelin e rrezikut ekzistencial me të cilin përballet njerëzimi. Vendimi bazohet në disa faktorë kyç: përshkallëzimin e tensioneve bërthamore mes fuqive të mëdha, përkeqësimin e krizës klimatike me pasoja gjithnjë e më shkatërruese, si dhe rreziqet në rritje që lidhen me teknologjitë e avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale dhe bioteknologjinë.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar po zbehet, ndërsa konkurrenca dhe nacionalizmi po rrisin rrezikun e konflikteve dhe katastrofave globale,” thuhet në deklaratën zyrtare të organizatës.
“Ora e Apokalipsit” nuk është një orë reale, por një simbol paralajmërues që synon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik dhe të nxisë veprime urgjente për të shmangur kërcënimet më të mëdha ndaj njerëzimit.
Ekspertët paralajmërojnë se, pa bashkëpunim të fortë global dhe masa konkrete, rreziku i një krize katastrofike do të vijojë të rritet nga viti në vit.

