Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak në Komunën e Prishtinës është zgjeruar me staf të ri, ka rritur ndjeshëm numrin e vizitave dhe tashmë funksionon shtatë ditë në javë, duke ofruar rreth 300 vizita ditore nëpër shtëpitë e pacientëve. Kështu ka deklaruar shefja e këtij shërbimi, Sahadete Kelmendi, në një intervistë për Ekonomia Online.
Kelmendi ka theksuar se gjatë viteve të fundit është shënuar rritje e ndjeshme e numrit të pacientëve me sëmundje kanceroze, ndërsa prioritet në trajtim u jepet pacientëve me kancer dhe atyre që kanë nevojë për terapi urgjente.
Ajo tha se shërbimi është zgjeruar përmes një projekti të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Shërbimi është zgjeruar me një projekt në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ku janë punësuar gjashtë mjekë të kujdesit paliativ, dy fizioterapeutë, si dhe një psikologe klinike. I gjithë ky ekip i është shtuar stafit ekzistues të shërbimit të mjekimit shtëpiak. Ky shërbim ekziston që nga viti 1986 dhe ka funksionuar me staf shumë të vogël deri në vitin 1992. Me mbylljen e institucioneve shtetërore në atë periudhë, edhe ky shërbim u ndërpre. Pas disa krizave dhe rifillimeve, nga viti 2005 shërbimi ka funksionuar rregullisht deri në vitin 2020, me orar nga ora 07:00 deri në 15:00”, tha ajo.
Kelmendi shtoi se nga viti 2022 shërbimi ka filluar të funksionojë edhe gjatë fundjavave dhe festave.
“Që nga viti 2020, gjatë periudhës së pandemisë, shërbimi është zgjeruar edhe me mjekë të tjerë dhe ka filluar të funksionojë me dy ndërrime: 07:00–13:00 dhe 13:00–19:00, me nga dy ekipe. Nga marsi i vitit 2022, shërbimi punon shtatë ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe ditët e festave, me orar nga ora 07:00 deri në 19:00”, tha ajo.
Ajo shpjegoi se shërbimi i mjekimit shtëpiak dallon nga shërbimet e qendrave të mjekësisë familjare, pasi u dedikohet pacientëve që për arsye shëndetësore nuk mund të paraqiten në këto qendra.
“Shërbimet u ofrohen kryesisht personave mbi moshën 65-vjeçare, por edhe pacientëve më të rinj që kanë probleme shëndetësore dhe janë të palëvizshëm”, theksoi ajo.
Duke folur për patologjitë që trajtohen, Kelmendi tha se shërbimi përfshin pacientë me sëmundje kardiovaskulare, respiratore, diabet me plagë, pacientë pas ndërhyrjeve kirurgjike, si dhe pacientë me sëmundje malinje.
“Pjesa më e ndjeshme e pacientëve tanë janë ata me sëmundje kanceroze”, tha ajo.
Ajo njoftoi se ka pasur rritje të madhe të vizitave krahasuar me vitin 2021.
“Në vitin 2022 kemi shënuar rritje të vizitave për 140%, ndërsa rritje të shërbimeve mjekësore rreth 200% krahasuar me vitin 2021. Muaji dhjetor ka qenë muaji rekord, me rreth 10 mijë shërbime dhe vizita, që nënkupton afërsisht 300 vizita ditore”, tha ajo.
Kelmendi shpjegoi se ekipet ofrojnë ekzaminime rutinore, terapi të ndryshme, këshillime për përdorimin e oksigjenoterapisë, inhalimit, si dhe edukim për pacientët dhe familjarët e tyre në lidhje me terapinë, aktivitetin fizik, dietën dhe higjienën.
Ajo shtoi se është rritur ndjeshëm edhe numri i pacientëve me kancer.
“Në vitet e kaluara, vetëm 4% e pacientëve që merrnin shërbime nga ne kishin sëmundje malinje. Ndërsa vitin e kaluar kjo shifër është rritur në 18%”, tha ajo.
Kelmendi njoftoi edhe për mënyrën e kontaktimit të shërbimit, duke bërë të ditur se shërbimi është pa pagesë dhe se pacientët apo familjarët e tyre mund të kontaktojnë përmes numrit 044-205-900 ose 038-606-374, çdo ditë nga ora 07:00.
Ajo sqaroi se prioritet u jepet pacientëve me sëmundje të rënda dhe atyre që kanë nevojë për terapi urgjente, veçanërisht pacientëve me kancer, të cilët nuk refuzohen në asnjë rast.

