Deputetëve u kërkohen vendime urgjente pas konstituimit të Kuvendit, ndër to buxheti dhe miratimi i Planit të Rritjes

by Nexhat

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka renditur disa nga vendimet urgjente që sipas tyre duhet t’i adresojë legjislatura e 10’të e Kuvendit të Kosovës. IKD thotë se këto vendime janë vendimtare për funksionimin normal të rendit kushtetues dhe stabilitetin e institucioneve.

Disa prej këtyre vendimeve janë buxheti dhe miratim i Planit të Rritjes.

banner

“Një nga prioritetet kryesore të Kuvendit është miratimi i Ligjit për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes (880 milionë euro) dhe ratifikimi i marrëveshjes me Bankën Botërore (90 milionë euro). Këto vendime janë të domosdoshme për avansimin e insteresave strategjike nacionale, zbatimin e obligimeve ndërkombëtare, funksionimin financiar të shtetit, zbatimin e politikave publike dhe shmangien e pasigurisë së institucioneve.”

Po ashtu, IKD përmend edhe financimin e RTK’së dhe mbështetjen e komunave.

“Po ashtu, Kuvendi duhet të sigurojë financimin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) dhe mbështetjen financiare për komunat, si pjesë e obligimeve ligjore dhe politike për garantimin e shërbimeve publike dhe funksionimit të komunave në gjithë territorin e vendit.”

IKD thotë se vendim urgjent është edhe zbatimi i aktgjykimeve të Kushtetueses.

“Një prioritet po aq i rëndësishëm mbetet zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë aktgjykimin për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe të drejtat e mbi 94 mijë zyrtarëve publikë. Moszbatimi i këtyre vendimeve cenon drejtpërdrejt parimin e sundimit të ligjit dhe besimin e qytetarëve në rendin kushtetues.”

Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se legjislatura e re duhet të veprojë me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë , duke ç’bllokuar proceset kyçe, zbatuar aktgjykimet kushtetuese dhe forcuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit, në funksion të garantimit të rendit demokratik dhe interesit publik.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy